Tusk me plan të ri për "brexit"

Tusk me plan të ri për "brexit"

Këshilli Europian pritet t'i sugjerojë Britanisë së Madhe që të largohet nga unioni brenda një periudhe një vjeçare, nëse deputetët anglezë arrijnë kompromisin për "Brexit". Ndërkohë raportohet se kryeministrja angleze do i shkruajë kundërshtarit të saj politik për t'i njoftuar se ka pranuar disa nga kërkesat e laburistëve.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, pritet t'i propozojë Britanisë së Madhe shtyrjen me 12 muaj të shkëputjes së vendit nga unioni.

Burime afër zyrtarit të lartë europian thonë se shtetet anëtare janë të prira për të bërë lëshimë gjatë kësaj periudhe, duke e lejuar vendin të largohet më shpejt sesa periudha njëvjeçare nëse parlamentarët anglezë bien dakord për një marrëveshje me BE-në.

Në Britaninë e Madhe, ndërkohë, vijojnë bisedimet teknike mes qeverisë dhe opozitës rreth paktit për "Brexit".

Mediet britanike informojnë se kryeministrja Theresa May pritet t'i shkruajë rivalit të saj politik, Jeremy Corbyn, një letër ku pranohen disa nga kërkesat e laburistëve, përkatësisht ruajtja e sistemit aktual doganor dhe tregtar me Bashkimin Europian, si edhe hedhja në votim e mundësisë së një referendumi tjetër popullor për çështjen Brexit.

Prej ditës së enjte, dhoma më e lartë e parlamentit britanik po debaton rreth vendimit të ligjvënësve anglezë për ta shmangur daljen e vendit nga BE-ja në datën 12 prill.

Projektligji përfundimtar pritet të parashtrohet ditën e hënë, ndërsa një javë nga sot Mbretëria e Bashkuar rrezikon të dalë nga blloku europian pa marrëveshje nëse palët nuk bien dakord.

Duke folur përkrah homologut të saj irlandez një ditë më parë, kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh se ajo ende beson se ka vend për zgjidhje më të lehta, porse pala britanike duhet t'i bëjë të ditura ato në samitin që vendet e BE-së parashikojnë të mbajnë ditën e mërkurë.

EMISIONET