Tuqia: Do të blejmë sisteme të mbrojtjes nga Rusia pavarësisht paralajmërimit të SHBA-së

Tuqia: Do të blejmë sisteme të mbrojtjes nga Rusia

Turqia ka anashkaluar një paralajmërim të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo për të mos blerë sistem raketor të mbrojtjes S-400 nga Rusia, duke thënë se marrëveshja tashmë është kryer dhe nuk ka kthim.

Gjatë një takimi të NATO-s në Bruksel më 27 prill, Pompeo i ka thënë homologut të tij turk se Shtetet e Bashkuara janë të “shqetësuara thellë” lidhur me vendimin e Ankarasë për të blerë sistem të mbrotjes raketore nga Rusia, të cilat nuk përkojnë me sistemet e NATO-s, ka njoftuar një zyrtar.

Zyrtarët amerikanë, po ashtu kanë thënë se Pompeo ka paralajmëruar Turqinë se shtetet që blejnë sisteme të tilla nga Rusia rrezikojnë të përballen me sanksione të reja, të llojit që SHBA-ja ka vënë ndaj Rusisë, duke i goditur industrinë ushtarake dhe atë të mbrojtjes.

Mirëpo ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë për disa transmetues se blerja e sistemit të mbrojtjes është nënshkruar në muajin dhjetor dhe tani “është punë e kryer”.

Ai ka thënë se Rusia është “duke përshpejtuar procesin” për dërgimin e sistemit të mbrojtjes në Turqi.

“Ne kemi kompletuar procesin S-400. Ajo është punë e kryer”, ka thënë ai duke shtuar se Turqia nuk do të zmbraspet nga kërcënimi për sanksione.

“Qasja ‘Do të vendosim sanksione nëse bleni” nuk do të ketë ndikim në Turqinë”, ka thënë ai.

“Turqia nuk do ta pranojë këtë”.

Cavusoglu ka thënë se vendi i tij është e hapur për të blerë edhe armë tjera nga aleatët e NATO-s.

Ky vendim i Turqisë ka rritur tensionet të disa vende anëtare të NATO-s, të cilat kanë rritur forcat në krahun lindor të aleancës, për shkak të asaj që kanë cilësuar si rritje të kërcënimit rus.

/REL/

EMISIONET