Krerët më të lartë të qeverisë greke u zhvendosën të martën në Shkup për të kryer një vizitë historike tani që raportet mes dy vendeve janë normalizuar tërësisht. Dy kryeministrat Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev u zotuan që të bëjnë të pamundurën për të shfrytëzuar kapacitetet politike dhe ekonomike. Për këtë u nënshkruan një numër marrëveshjesh bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

Kryeministri, Aleksis Tsipras, nisi të martën në Maqedoninë e Veriut vizitën e parë si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë greke në gati dy dekada.

Kreu i qeverisë dhe delegacioni i tij i gjerë ministror u pritën me nderime nga homologu maqedonas, Zoran Zaev, vetëm pak javë nga hyrja në fuqi e "Marrëveshjes së Prespës".

Pas takimeve të ndryshme kokë-më-kokë në selinë qeveritare dhe pas nënshkrimit të një sërë marrëveshjeve bashkëpunimi në fushën e sigurisë, energjisë, transportit dhe diplomacisë, dy zyrtarët e lartë u zotuan në konferencën për shtyp që të zhvillojnë më tej raportet dypalëshe tani që janë lënë pas konfliktet e vjetra 28-vjeçare.

Zaev: "Nga 17 qershori i vitit të kaluar, kur nënshkruam marrëveshjen, ne vazhdojmë me hapa historikë. Këto ditë, miku ynë, Aleksis, ka bërë apel në BE për të ardhmen e vendit tonë. Kur shohim të ardhmen, shohim dy fqinj me dëshirë për të realizuar të pamundurën, për të shfrytëzuar kapacitetet politike dhe ekonomike në tërësi."

Tsipras: "Kemi humbur shumë kohë, afërsisht 30 vite për t'i kaluar këto barriera. Sot kemi gjetur gjuhën e përbashkët në disa drejtime të funksionimit të shtetit. Në nivel të politikës së jashtme kemi krijuar mirëkuptim dhe plane koordinimi për të gjitha fazat e bashkëpunimit rreth politikave evropiane dhe të antëarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Nga sot ne e mposhtim fjalorin e urrejtjes dhe dhunës mes nesh."

Pas një përqafimi miqësor, i prirë pak orë më parë nga një fotografi e përbashkët, dy krerët e qeverive u drejtuan për në forumin e tregtisë së bashku me mbi 140 biznesmenë pjesë e delegacionit grek, që palët shpresojnë do të rritë më tej ndërveprimet financiare mes biznesve të të dyja vendeve.

Tsipras ka rezervuar gjithashtu takime me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferri, dhe tetë deputetët e pavarur të VMRO-së të cilët votuan në favor të ndryshimeve kushtetuese pas "Marrëveshjes së Prespës".

Marrëveshja e arritur më 12 qershor të vitit të kaluar, por e kundërshtuar fuqishëm nga zërat nacionalistë nga të dyja shtetet, parashikonte riemërtimin gjeografik të fqinjit verior në Maqedoninë e Veriut, zotimin e Greqisë për t'i hapur rrugën anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO, dhe zbatimin e disa hapave ekonomikë e politikë në interesin e gjithë Ballkanit.

/Ora News.tv/