Ne oren 13:00 avioni ushtarak solli në Shqipëri arkivolin me trupin e pajetë të majorit Klodian Tanushi i rënë në krye të detyrës në misionin e NATO në vendin baltik.

Ne ceremonine ushtarake te pritjes ishin familjarë, miq dhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Përcillet me nderime nga Letonia, trupi i major Tanushit mbërrin në mesditë në Tiranë

Nga Letonia, komandanti i kontingjentit shqiptar në Letoni, major Klodian Tanushi, u përcoll me nderimet më të larta ushtarake nga kolegët e tij.

Efektivë të nëntë vendeve pjesëmarrëse në misionin "enhanced Forward Presence”, përfshirë Letoninë, përcollën në Aeroportin e Rigës arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar, me trupin e major Tanushit, i cili do të transportohet me avion ushtarak në atdhe.

Homazhet për komandantin e kontingjentit shqiptar në Letoni, do të zhvillohen ditën e enjte në Muzeun Historik Kombëtar nga ora 10:00 - 12:00.

Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, major Tanushit do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.

Major Klodian Tanushi shpallet dëshmor

Këshilli i Ministrave nderoi majorin Klodian Tanushin duke e shpallur të ditën e enjte, datë 16 maj 2019, ditë zie kombëtare. Në nder të major Tanushit, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni, ditën e enjte, në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e shpall major Klodian Tanushin, i rënë në krye të detyrës, “Dëshmor i Atdheut”.



Ngushëllime në ambasadat shqiptare jashtë vendit:

Në nder të major Tanushit, në grup-batalionin e NATO-s në bazën Adazi, ku shërben kontingjenti shqiptar është zhvilluar një ceremoni.

Ndërsa në ambasadat shqiptare në SHBA, Kanada, Kosovë, Rumani, Turqi, Bullgari, Itali, etj, është çelur libri i ngushëllimeve për të dy efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare, të rënë në krye të detyrës, major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zarife, të cilët humbën jetën për shkak të një shpërthimi, javën e kaluar në Letoni.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Mbrojtjes i Letonisë, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, vizitoi Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, ku la shënimin e tij në librin e ngushëllimeve për dy efektivët.

Në librin e ngushëllimeve në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, ndër të tjerë, kanë lënë shënimet e tyre edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha.


/Ora News.tv/