Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë një telegram urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Telegrami i është dhuruar të parit të shtetit nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.

Përmes rrjeteve sociale z. Thaçi ka falenderuar presidentin Trump për urimet e përzemërta dhe përkushtimin e tij për Kosovën.

"Populli ynë është me shumë me fat që ka një shtet mik kaq të fuqishëm, si SHBA-të" shkruan presidenti i Kosovës në postimin e tij.

Nga ana tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë, përmes telegramit të tij ka përgëzuar dhe vlerësuar Kosovën për hapat që ka bërë drejt forcimit të sovranitetit dhe demokracisë shumetnike.

Trump thekson në letrën e urimit se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin e themeleve të forta, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të së drejtës.

"Ne e shikojmë Kosovën si një partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara", shkruan presidenti amerikan Donald Trump.

Ndërkohë kujtojmë se më 17 dhkurt, Kosova feston 10 vjetorin e pavarësisë së saj.

Në po këtë datë në vitin  2008, Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në botë.




/Ora News.tv/