Raportet ekonomike mes SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ishin në qendër të takimit që presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi të martën në vend në kuadër të vizitës së tij. Trump njoftoi se palët do të punojnë për një marrëveshje të re tregtare e cila do të jetë më e ndershme për të dyja palët.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i dha të martën një karakter më politik vizitës së tij shtetërore në Britaninë e Madhe.

Ai takoi kryeministren britanike Tereza Mej në selinë e saj, për të marrë pjesë në një mëngjes pune në shoqërinë e dhjetëra përfaqësuesve të biznesit nga të dyja vendet.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë kujtoi partneritetin e rëndësishëm tregtar mes dy aleatëve dhe paralajmëroi marrëveshje të reja dypalëshe.

Trump: "Ka shumë mundësi për ta zgjeruar më tej partnerin tonë. Për këtë do të punojmë duke nisur nga sot për një marrëveshje të qenësishme dhe shumë të ndershme që ta kemi gati brenda disa javëve."

Kryeministrja në ikje Mej tha se përmirësimi i raporteve është në interesin edhe të 1 milionë qytetarëve amerikanë që punësohen në Britaninë e Madhe.

Ndërkohë, vizita treditore e presidentit amerikan është shoqëruar me protesta në rrugët e Londrës, nisur nga qëndrimet e tij të mëparshme për mediet, emigrantët, klimën apo të drejtat e njeriut.

Protestuesit si një vit më parë shfaqën në sheshet kryesore balonën të një fëmije me tiparet e kreut të Shtëpisë së Bardhë dhe një robot gjigant me pamjen e presidentit duke shkruar në celular teksa qëndronte ulur në një tualet prej floriri.

Dhjetëra mijëra protestuesve në qendrën e Londrës pritet t'u drejtohet edhe kreu laburist i opozitës, Xheremi Korbin.

Ndërkaq kryebashkiaku i Londrës, Sadik Kan, pas etiketimeve të javës së kaluar, sërish nuk i kurseu sulmet ndaj presidentit Trump, duke e quajtur atë një figurë emblematike të ekstremit të djathtë, i cili nuk e meriton trajtimin si një personalitet shtetëror.

/Ora News.tv/