Presidenti Donald Trump sugjeroi që armatosja e mësuesve duhet të jetë pjesë e një plani për të forcuar sigurinë në shkolla. Siç njofton korrespondenti i Zërit të AmerikësBill Gallo, propozimi vjen në një kohë kur nxënësit po protestojnë në mbarë vendin me thirrjet për më shumë masa për kontrollin e armëve.

Mijëra nxënës u mblodhën këtë javë në kryeqytetet e shteteve amerikane dhe në Shtëpinë e Bardhë, me thirrjet për një kontroll më të rreptë të armëve.

Duke folur me nxënësit të enjten, presidenti Donald Trump propozoi shtimin e armëve si barazpeshë për të penguar sulmuesit.

"Ata nuk do të guxojnë të shkojnë në një shkollë në se 20 për qind e mësuesve kanë armë. Duhet t’ja u bëjmë të qartë se nëse sulmojnë shkollën, do të vriten shpejt", tha presidenti.

Por nuk është e qartë nëse ligjvënësit do ta miratojnë një plan për të armatosur mësuesit… në se publiku do ta mbështesë këtë ide, apo nëse ajo do të jetë e efektshme.

"Në sulmin e fundit në Florida, autori kishte një armë AR-15. Kur ke një mësues me një pistoletë të rregullt që përballet me një sulmues me armë të tillë, nuk do të dalësh fitues", thotë Capri Cafaro në Universitetin Amerikan.

Presidenti Trump thotë se është gjithashtu i hapur për të zgjeruar kontrollin mbi biografinë e blerësve të armëve, duke ndaluar shitjen e mekanizmave që i shndërrojnë armët gjysmë automatike në automatike… dhe duke ngritur moshën e lejuar për të blerë armë.

Por Shoqata Kombëtare e Armëve, grupi më i madh pro-armëve në vend, nuk i pranon këto sugjerime.

"Synimi i tyre është të eliminojnë amendamentin e dytë dhe lirinë për të mbajtur armë në mënyrë që të pakësojnë liritë tona individuale", thotë Wayne Lapierre me Shoqatën Kombëtare të Armëve.

"Ne nuk mendojmë se përgjigja e menjëhershme e politikës do të ishte ndalimi i një klase të tërë të armëve të zjarrit. Ajo që ne po kërkojmë të gjejmë është një zgjidhje që nuk ndalon një lloj arme për të gjithë individët, por që ndalon të gjitha armët për individë të caktuar, të cilët janë identifikuar si kërcënues të sigurisë publike”, tha Raj Shah zëvendës Sekretar i Shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Një koment ky që sugjeron se politika rrethkontrollin e armëve në Amerikë, tashmë mund të ndryshojë./VOA

/Ora News.tv/