Si pjesë e luftës kundër varësisë ndaj drogës, presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar ekzekutimin e trafikantëve të lëndëve narkotike. Trump ka pranuar se ndryshimi i këtij ligji do të jetë i vështirë, megjithatë ai ka konfirmuar se kabineti i drejtuar prej tij po punon për të vendosur dënimin me vdekje.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar vendosjen e dënimit me vdekje për trafikantët e drogës, si pjesë e planit të tij për të luftuar epideminë amerikane të varësisë ndaj qetësuesve.

Kreu i shtetit deklaroi se administrata e tij po përpiqet ta ndryshojë ligjin për ekzekutimin e trafikantëve, por pranoi se ky ndryshim do të përballet me kundërshti të mëdha politike dhe gjyqësore.

Propozimin e tij në stilin e presidentit filipinez Rodrigo Duterte, Trump e paraqiti gjatë një fjalimi në New Hampshire, një shtet i prekur nga varësia ndaj qetësuesve, e njohur ndryshe si kriza e opioideve. Rreth 2.4 milionë amerikanë përllogaritet se janë të varur pas drogës, ndërkohë që kjo krizë i ka marrë jetën rreth 64.000 peronave në mbarë kombin në vitin 2016.

Gjatë eventit në New Hampshire, Trump gjithashtu premtoi uljen e çmimit të ilaçeve.

Për presidentin, shtetasit amerikanë paguajnë më shumë krahasuar me çmimet në vende të tjera për të njëjtin produkt.

/Ora News.tv/