Trump: Gati përgjigjet për Mueller-in, i kam shkruar vetë

Trump: Gati përgjigjet për Mueller-in, i kam shkruar vetë

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se i kishte përfunduar përgjigjet me shkrim për hetimin federal që po zhvillohet lidhur me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Por ai tha nuk i kishte dërguar ende ato në zyrën e Prokurorit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara Robert Mueller.

Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump tha se i kishte shkruar vetë përgjigjet ndaj pyetjeve të zotit Mueller dhe jo avokatët e tij.

Tensionet lidhur me hetimin u rritën edhe më shumë javën e kaluar kur zoti Trump shkarkoi Jeff Sessions nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm duke e zëvendësuar përkohësisht atë me Matthew Whitaker-in. Lëvizja i dha zotit Whitaker, një besnik i presidentit Trump, të drejtën për të mbikëqyrur hetimin e zotit Mueller në vend të zotit Rod Rosenstein, numri dy i Departamentit të Drejtësisë, i cili gëzonte më parë autoritetin të mbikëqyrte hetimin.

Prej majit të vitit 2017 zoti Mueller po heton nëse anëtarë të fushatës së zotit Trump kanë bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe nëse zoti Trump, në mënyrë të paligjshme është përpjekur të pengojë hetimin. Zoti Mueller ka ngritur tashmë akuza ndaj disa ish-ndihmësve të zotit Trump.

Vetë Presidenti e ka quajtur hetimin një "gjueti shtrigash" dhe ka thënë se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë me Rusinë. Moska gjithashtu e ka mohuar çdo ndërhyrje në zgjedhjet amerikane./VOA

EMISIONET