Presidenti amerikan, Donald Trump, ka marrë masa në mbrojtje të sigurisë kombëtare, duke kufizuar pjesëmarrjen e shteteve dhe kompanive të huaja në rrjetet vendëse të telekomunikacionit. Besohet se objektivi kryesor i dekretit është gjiganti kinez i telekomunikacionit dhe celularëve, Huawei, që operon edhe në Shqipëri.

Shtetet e Bashkuara kanë shpallur emergjencën kombëtare për të mbrojtur rrjetet e telekomunikacionit nga "fuqitë e huaja armike".

Dekreti presidencial u firmos të mërkurën nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.

Ai u ndalon kompanive vendëse që të instalojnë pajisje telekomunikative të prodhuara jashtë SHBA-së, të cilat dyshohet se komprometojnë sigurinë kombëtare.

Megjithëse nuk citohen shtete apo kompani të caktuara, raportohet se objektivi parësor ka qenë gjiganti kinez i celularëve dhe i teknologjive të informacionit, Huawei.

Kompania kineze tha të enjten se veprimi i palës amerikane ishte i paarsyeshëm dhe nuk e bën vendin më të sigurt, por e ekspozon ndaj alternativave të tjera më inferiore dhe të kushtueshme.

Huawei prej muajsh po tenton të përhapë infrastrukturën e vet për rrjetet celulare 5G në vende të ndryshme të botës.

Prej vitit 2007, ajo operon edhe në tregun shqiptar me produkte dhe pajisje teknologjike për rrjetet kryesore të telekomunikacionit në vend.

Shtetet si SHBA-ja, Australia dhe Zelanda e Re e kanë refuzuar teknologjinë kineze, duke ngritur dyshimet se produktet e firmës kontrollohen nga qeveria dhe përdoren për të përgjuar.

Kompania vazhdimisht i ka mohuar akuzat e varësisë nga Pekini zyrtar, madje është shprehur e gatshme që të firmosë marrëveshje anti-spiunazh në nivel qeveritar.

Zhvillimet e fundit me gjasë do të tensionojnë më tej luftën tregtare mes SHBA-së dhe Kinës, e cila u përshkallëzua më shumë këtë javë përmes aplikimit të tarifave deri në 25 për qind mbi qindra miliardë dollarë produkte kineze e amerikane.

/Ora News.tv/