Shtatë persona janë arrestuar në Tropojë pas ngjarjes së ndodhur të martën kur një grup qytetarësh hynë në ambientet e Muzeut Historik dhe dëmtuan materialet zgjedhore në KZAZ Nr. 9.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, arrestuan në flagrancë 7 persona, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor.

Ndërkohë, janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Ndërkohë në Shkodër, policia ka vënë në pranga 5 persona, mes tyre dy punonjës të policisë bashkiake dhe një specialist të bujqësisë.

Ata akuzohen për djegien e shkollës “Shejnaze Juka" në lagjen “Kongresi i Përmetit” Shkodër dhe materialet zgjedhore që ndodheshin në ambientet e kësaj shkolle, si dhe për  kundërshtimin me dhunë punonjësit e policisë.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim policor 14 shtetas dhe janë proceduar 2 të tjerë të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Mëngjesin e të mërkurës përplasja mes bashkive dhe policisë është zhvendosur në KAZA-në e Kavajës ku mbështetës të PD janë grumbulluar në ambientet e jashtme pas kërkesës së bashkisë për lirimin e godinës.

Të arrestuarit në Tropojë janë:

-A.G., 31 vjeç, banues Bajram-Curri-Tropojë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-I.M., 50 vjeç, banues në Bujan, Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-N.N., 32 vjeç, banues në Llugaj, Tropojë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-H.Gj., 53 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-B.P., 34 vjeç, banues në Fierzë, Tropojë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-A.G., 26 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë. Arrestimi i tij u bë pasi ka thyer vendimin e Gjykatës së Rethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka qenë me masën e sigurisë arrest shtëpie.

-A.G., 28 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë , për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë.

Përplasje në Tropojë, shikoni momentin kur personat hyjnë me forcë në KZAZ



/Ora News.tv/