Tritol banesës së kasapit në Gjirokastër, 34-vjeçarit iu bë atentat edhe në 2013

Një shpërthim me tritol tronditi Gjirokastrën pak para mesnatës së 23 janarit 2018.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:45 minuta në lagjen ‘Dunavat i Dytë’. Eksplozivi ka shpërthyer në oborrin e banesës së shtetasit me iniciale A.L, ndërsa i plagosur lehtë ka mbetur djali i tij, shtetasi Gentjan Liti, 34 vjeç. 

Po kështu ka pasur edhe dëme materiale në banesë. Forca të shumta policore dhe grupi hetimor mbërritën në vendin e ngjarjes. 

I plagosuri u transportua për në spitalin ‘Omer Nishani’ për ndihmë mjekësore. 

Më pas është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Mendohet se lënda eksplozive ka qenë rreth 100 gram tritol C4. 

Ky është atentati i dytë që po i bëhet Gentjan Litit. Në verën e vitit 2013, atij i ishte vendosur eksploziv në automjetin tip furgon, të parkuar pranë banesës në lagjen ‘Dunavat i Dytë’. 

Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale. 34-vjeçari me profesion kasap, ka një dyqan mishi në zonën muzeale të Gjirokastrës. 

Dyshimet e hetuesve janë se të dy atentatet janë kryer nga e njëjta dorë. Ato mund të kenë lidhje me aktivitetin tregtar të Gentjan Litit, çështje pronësie apo ndonjë konflikt tjetër. 

Hetimet pritet të zbardhin më shumë rreth ngjarjes.

 

 

EMISIONET