Tregu i sigurimeve, brenda 2018 do shlyhen detyrimet e prapambetura

Tregu i sigurimeve, brenda 2018 do shlyhen detyrimet e prapambetura

Brenda vitit 2018, do të shlyhen të gjitha detyrimet e prapambetura në tregun e sigurimeve.

Drejtori i Prëgjithshëm i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Ervin Koçi, deklaroi se këto borxhe janë krijuar që nga viti 2002 dhe arrijnë në 10 milion euro.

Ervin Koçi: Kemi 9-10 milion euro dhe tashmë po bëjmë dhe një inspektim të gjerë tek Byroja që administron të gjithë këtë proces për të nxjerrë shifrën reale por edhe përgjegjësitë konkrete. Ky është krijuar nga viti 2002 për shkak se edhe tregu i sigurimeve ka qenë treg shumë i brishtë.

Koçi bëri me dije se tashmë po rishikohet ligji Bonus-Malus, në bazë të cilit drejtuesit e mjeteve do të paguajnë sigurimet sipas historikut të aksidenteve.

Ervin Koçi: Pa diskutim që Bonus-Malus do të jetë një objekt i rishikimit që të përshtatet me mirë me zhvillimet e tregut.

Përsa i përket ndryshimeve të shpeshta të çmimeve në tregun e sigurimeve, kreu i AMF-së premtoi rishikime në ligj ndërsa premtoi sanksione në rast të zvarritjes së qytetarëve për marrjen e pagesës për dëmet në rast aksidenti.

Ervin Koçi: Tashmë në të gjitha rastet që do të shikojmë se do të kalojnë mbi 90 ditë dhe qytetarët do të kenë ankesa por sigurisht dhe nga inspektimi që do të bëjmë vetë, do të kemi ndërhyrjen tonë që këtë çështje ta rregullojmë duke vendosur edhe sanksione ndaj shoqërive. Të jeni të bindur se çfarë i takon qytetarit do ta marrë në kohën e duhur.

Gjatë periudhës janar-gusht 2017, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3.446 milionë lekë, ose 30.88% më shumë se në periudhën janar-gusht 2016 ndërkohë që sigurimet e jetës vijojnë të mbetetn të ulta.

/Oranews.tv/

 

EMISIONET