Tre persona janë akuzuar për vrasjen e gazetares investigative malteze Daphne Caruana Galizia. Të akuzuarit janë vëllezërit George dhe Alfred Degiorgio, respektivisht 55 dhe 53 vjeç, si edhe Vincent Muscat, 55 vjeç. Ata akuzohen gjithashtu edhe për zotërimin e materialeve për prodhimin e bombave e armëve, por asnjë prej tyre nuk pranon të jetë fajtor.

Më herët gjatë javës, policia arrestoi 10 shtetas maltezë në lidhje me vrasjen e gazetares. Daphne Caruana Galizia humbi jetën në një shpërthim pak pasi ajo ishte larguar nga shtëpia e saj, më 16 tetor. 53-vjeçarja ishte një gazetare e njohur në Maltë, sidomos për akuzat e ngritura ndaj politikanëve për korrupsion.

Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, i cili nuk ka lidhje me të akuzuarin Vincent Muscat, deklaroi se disa prej të arrestuarve ishin persona të njohur për policinë, ndërsa të tjerët kishin precedentë penalë. Ndërkohë, sipas të njohurve të gazetares së vrarë, Galizia nuk dihet të ketë hetuar asnjë nga personat e arrestuar, detaj që përjashton pistën e vrasjes për hakmarrje.

/Ora News.tv/