Pesë persona nga grupi i dyshuar i trafikut të klandestinëve nga Greqia në Mal të Zi mbeten në qeli, tre të tjerë u liruan me detyrim paraqitje.

Gjykata e Elbasanit caktoi masat e sigurisë për tetë të arrestuarit e operacionit "Tranzit", finalizuar në Elbasan të enjten.

Në krye të grupit qëndronte turku, Ulas Çokyigit, nga Stambolli por me vendbanim në Tiranë.

Për të gjykata caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" ashtu si edhe për Fjorildo Satkën, Daniel Qemalin, Reinaldi Hoxhën dhe Mirek Koten.

Argjil Zeneli, Marko Kalaja dhe Enes Myrta morën masën "detyrim paraqitje".

Këta persona në bashkëpunim me njëri- tjetrin, vepronin si grup kriminal, duke organizuar transportin e klandestinëve të huaj nga kufiri i gjelbër me shtetin grek në drejtim të Tiranës dhe më pas në drejtim të Mal të Zi.

Policia tha se klandestinët paguanin shuma të konsiderueshme eurosh tek organizatori i këtij trafiku.

Prej vendosjes së FRONTEX në kufi me Greqinë në jug të vendit, janë goditur disa tentativa të kalimit të kufirit.

Por kjo ishte hera e parë që autoritetet shqiptare kanë identifikuar një rrjet trafikimi të emigrantëve të paligjshëm.

/Ora News.tv/