Transporti ndërqytetas paralajmëron Ballukun: Zgjidhni kërkesat ose pezullojmë punën

Transporti ndërqytetas paralajmëron Ballukun: Zgjidhni kërkesat

Shoqata e Transportit Kombëtar Ndërqytetas ka paralajmëruar Ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, që të plotësojë kërkesat e tyre ose në të kundërt do të pezullojnë shërbimin në të gjithë vendin në datën 15 prill. Operatorët kërkojnë rishikim të orareve, ndëshkim të konkurrencës së pandershme dhe anulim të masave ndëshkuese të marra ndaj tyre.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, rrezikon që të paralizojë të gjithë transportin ndërqytetas në vend.

Shoqata Kombëtare e Transportit Ndërqytetas i ka lënë afat Ministres deri në datën 15 prill që të plotësojë kërkesat e tyre ose në të kundërt do të pezullojnë shërbimin në të gjitha linjat e autobusëve nëpër qytete.

Eneo Sulejmanaj: Nëse Ministria e kalon në heshtje këtë shqetësim mbarëkombëtar deri në datë 15 prill atëherë do të pezullohet shërbimi i transportit të udhëtarëve derisa ky konflikt të zgjidhet. Në asnjë stacion kryesor nuk do të ketë shërbim, në asnjë qytet nuk do të ketë shërbim.

Ata kërkojnë që Ministrja e Infrastrukturës të marrë masa për të ndëshkuar konkurrencën e pandershme, të rishikojë oraret në bazë të popullsisë që mbulojnë si dhe të anulojë gjobat administrative që kanë marrë padrejtësisht.

Eneo Sulejmanaj: Nuk është menduar për interesin parësor të qytetarëve për ofrimin e një të drejte kushtetuese, atë të lëvizjes së lirë. Kërkojmë në mënyrë të menjëhershme shfuqizimin e pikës 2 të nenit 2, udhëzimit 437 datë 09.05.2018 sepse është e qëllimshme dhe tendencioze nga ana e Ministrisë.

Shoqata e Transportit Ndërqytetas shprehet se prej kohësh përballen me vështirësi në punën e tyre dhe për këtë kanë vendosur që të ndërmarrin masa ekstreme për zgjidhjen  e tyre.

EMISIONET