Transferimi i Neymar te Real Madrid do të kushtonte 500 mln euro

Transferimi i Neymar te Real Madrid do të kushtonte 500 mln euro

Neymar te Reali i Madridit ndoshta është e mundur. Mund të tingëllojë si diçka utopike transferimi i brazilianit në radhët e klubit “Los Blancos”, por në fakt mediat spanjolle raportojnë një situatë krejt ndryshe.

Përpara se sulmuesi të transferohej te Barcelona, në ndjekje të tij ishin edhe madrilenët, por në fund “blaugranat” fituan garën. Verën e kaluar katalanasit nuk mund të bënin asgjë për ta mbajtur brazilianin, për të cilin PSG pagoi klauzolën e largimit 222 milionë euro.

Duket e vështirë që presidentët e dy klubeve, Perez i Realit të Madridit dhe Al Khelaifi i PSG, të ulen, në një të ardhme të afërt, në tavolinën e rrumbullakët, për të biseduar në lidhje me mundësinë për ta rikthyer sulmuesin në Gadishullin Iberik.

Kapiteni i “Los Blancos”, Sergio Ramos, në një intervistë të fundit u shpreh se Neymar është i mirëpritur te kampionët në fuqi të Spanjës, sepse, sipas tij, më të mirët duhet të jenë pjesë e Realit.

Nëse një operacion i tillë realizohet, do të kapë shumën e 500 milionë eurove. Përtej shifrave, një gjë ndoshta mund të konfirmohet. Nëse në fillim shihej si i pamundur kalimi i Neymar te Reali i Madridit, në këto momente, panorama paraqitet ndryshe dhe ndoshta në verë, bota e futbollit mund të tronditet sërish nga një tjetër supergoditje në merkato./ATA/

EMISIONET