Tumoret e fshikëzës së urinës janë një patologji që haset shumë shpesh, simptoma kryesore e së cilës është urinimi me gjak me ngjyrë të errët.

Kirurgu urolog, Dr.Gjergji Karamitri është bërë pjesë e emisionit shëndetësor 'Diagnozë' nga Freskida Miloti ku ka folur për shkakun e shfaqjes së këtyre tumoreve, simptomave dhe ndërhyrjeve kirurgjikale.

Ai shpjegoi se në rastet e një hematurie (urinimi me gjak), duhet të trajtohet me kujdes për të kuptuar nëse lidhet me një tumor. Kjo është një sëmundje që prek më së shumti moshat e mesme dhe të thyera, ndërsa të rinjtë janë raste të rralla.

Si patologji është rreth 3 herë më e shpeshtë tek burrat sesa tek gratë. Kirurgu rrëfeu se në Shqipëri ka një rritje të rasteve të tumoreve të fshikëzës së urinës këto 15 vitet e fundit.

Një ndër shkaqet kryesore të shfaqjes së kësaj sëmundje është konsumimi i duhanit, prandaj meshkujt janë më të prekur.

Mënyra e diagnostikimit ka disa faza duke nisur nga ekzaminimet laboratorike dhe eko-t. Ekzanimi më i mirë është cistoskopia, ku mjekët shohin me imtësi nëse ka apo jo një tumor. Për të ndjekur disa këshilla për parandalimin e kësaj sëmundje, ndiqni intervistën në emisionin 'Diagnozë' nga Freskida Miloti.  

/Ora News.tv/