Organet greke të hetimit janë duke kërkuar për të zbuluar kokën e trafikut të drogës nga Shqipëri në Greqi, pas kapjes së 1.6 tonëve kanabis midis të premtes dhe të shtunës së shkuar.

Lënda narkotike ishte nisur me një gomone me tre motorë nga jugu i Shqipërisë për të përfunduar në Greqi, ndërsa gjatë gjithë itinerarit ishte duke u vëzhguar.

Gazeta greke “Protothema”, shkruan se autoritetet janë në kërkim të “big boss-t”, i cili siç shkruan gazeta jeton në një vilë në bregdet dhe është me origjinë shqiptare. Nga hetimet e deri më tanishme, autoritetet kanë zbuluar se sasia e drogës prej 1.6 ton ishte e destinuar për në brigjet e Stambollit.

“Nga hetimet rezulton se grupi mafioz e kishte qendrën në Athinë. Bosi i grupit është një shqiptar, por në të rol të rëndësishëm kanë edhe disa biznesmenë të njohur grekë. Grupi trafikonte tonelata me kanabis nga Shqipëria drejt Italisë, Greqisë deri edhe Turqisë. 1.6 ton drogë që u kapën të shtunën kishin destinacion Stambollin. Autoritet janë vënë në ndjekje të ‘big boss’ që është shqiptar dhe jeton në një vilë luksoze në bregdet”, shkruan Prothotema.

Një 63 vjeçar grek, i arrestuar nga policia dhe me profesion biznesmen është një nga figurat më të rëndësishme të grupit të trafikut dhe është pretenduar të ketë qenë ai që ka blerë skafet në emër të mafies shqiptare nëpërmjet kompanive të tij të “pagëzuara” turistike, duke sjellë kështu mos dyshimin e autoriteteve. 

Biznesmeni grek kishte zhvilluar aktivitetin e tij prej disa vitesh me shpejtësi të lartë, duke ngritur dyshime se ai ka pastruar gjithashtu paratë e drogës.

Tashmë, autoritetet hetimore greke janë duke punuar për të identifikuar “trurin” e grupit dhe anëtarët e tjerë.

“Është një rast që nuk ka tavan", thotë një oficer hetimor, i cili shton "kemi të bëjmë me një grup shumëkombësh që ka bërë punë të mëdha në Shqipëri, Turqi dhe Itali”.

Po sot, gazeta tjetër greke “Kathimerini” shkruan se grupi i trafikut të drogës ka lidhje me vëllezërit Habilaj, ku disa prej anëtarëve të grupit janë arrestuar nga autoritetet italiane.

Gjatë operacionit të policisë greke për kapjen e gomones me tre motër të fuqishëm midis të premtes dhe të shtunës, u vunë në aksion edhe helikopterë si dhe u përdorën snajperat për të ndaluar drogën, e cila sipas “Protothema” kishte destinacion brigjet e Stambollit.

Nga operacioni grek janë arrestuar gjithsej 10 persona, pjesa më e madhe të cilëve shqiptarë.

/Ora News.tv/