Trafiku i 1.6 ton drogë në Greqi, zbulohet emri i një prej skafistëve të arrestuar

Trafiku i 1.6 ton drogë në Greqi, zbulohet emri i një prej

Zbulohet emri i një prej shqiptarëve të arrestuar nga policia greke e përfshirë në trafikun e mbi 1.6 ton drogë me gomone drejt Greqisë. 

Personi i arrestuar është Alban Baxheri, një prej skafistëve të përfshirë në trafikun e sasisë së madhe të drogës. 

Policia ka ushtruar kontroll në banesat e disa personave të dyshuar si të përfshirë në trafikun e lëndës narkotike. 

Gjatë kontrolleve në banesa, policia nuk ka konstatuar asgjë të dyshimtë.

Operacioni për kapjen e gomones me drogë u zhvillua gjatë së premtes dhe të shtunës së shkuar, duke çuar në pranga 10 persona gjithsej, pjesa më e madhe shqiptarë. 

Gomonia ka qenë nën survejim që kur u drejtua për në brigjet shqiptare, ku mori ngarkesën e drogës dhe pastaj. kur hyri në ujërat greke u tentua pa sukses ndalimi i tij. Gomonia kishte tre motorë nga 350 kuaj fuqi dhe manovronte lehtësisht. Gjatë ndjekjes, nga gomonia u qëllua mbi  një skaf të policisë bregdetare greke dhe në përpjekje për t'iu shmangur plumbave, disa efektivë  ranë në ujë, duke pësuar lëndime të lehta.

Pas shumë orësh, gomonia u ndalua në zonën detare midis ishujve Makronisos dhe Kea, pranë Athinës. Ndalimi u bë i mundur pasi snajperat që ndodheshin në helikopter arritën të godisnin gomonen, duke i eliminuar mundësitë për manovrime të tjera.

Në bordin e gomones ndodheshin dy shtetas shqiptarë dhe një italian të cilët u arrestuan. Në komunikatë thuhet se një prej të arrestuarve u dërgua në spitalin "Evangelismos" për arsye profilaktike, por nuk sqarohet nëse kjo u bë për shkak të ndonjë plage, si dhe nuk bëhet e ditur shtetësia e tij.

Sasia e kanabisit që transportonte gomonia ishte 1,6 ton, ndërkohë që gjatë ndjekjes trafikantët kishin hedhur në det paketa me drogë, armë dhe sende të tjera që mund të shërbenin si prova rënduese.

Paralelisht me këtë operacion në zona të ndryshme të Athinës, u zhvilluan disa kontrolle, ku u arrestuan shtatë persona të tjerë, katër prej të cilëve shqiptarë, një italian, një bullgar dhe një grek. Në mesnatë po ashtu është arrestuar dhe një biznesmen i njohur. Gjithashtu u sekuestrua një tjetër gomone, me katër motorë 350 kuaj fuqi, si dhe armë.

Komunikata e policisë bregdetare greke bën me dije se hetimet po vazhdojnë mbi lidhjet e krerëve të organizatës, me qëllim që të bardhet e gjithë skema e trafikut që kishte për destinacion kryesisht vendet evropiane.

EMISIONET