Trafik droge nga Shqipëria dhe Maqedonia drejt Italisë, banda e shqiptarëve nga Elbasani

Policia financiare e qytetit të Pizas në bashkëpunim me atë të Venecias kanë ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm një operacion antidrogë. Operacioni policor i koduar me emrin "Chicken's house"  çoi në shkatërrimin e një bande trafikantësh shqiptarë që vepronte në veri të Italisë, me dëgëzime internacionale e që trafikonte drogë nga Shqipëria e Maqedonia.

Trafikantët shqiptarë të arrestuar janë të gjithë nga qyteti i Elbasanit e trafikonin në Itali sasi të konsiderushme heroine e kokainë në doza të vogla.

Gjatë operacionit janë arrestuar 11 korrierë droge, 10 prej të cilëve shqiptarë dhe 1 shtetas italian si dhe janë sekuestruar rreth 80 kg lëndë narkotike.

Ndaj 9 shqiptarëve është lëshuar urdhëri i arrrestimit me burg, ndërsa ndaj dy shqiptarëve të tjerë e shtetasit italian është dhënë urdhëri i detyrimit të paraqitjes në komisariatin e policisë.

Gjatë këtij operacioni janë ekzekutuar kontrolle në 10 banesa në provincat Venecia, Milano, Bolzano e Monza-Brianza.

Banda e trafikantëve shqiptarë e kishte bazën operative në një fermë të braktisur pulash në provincën e Venetos, e cila kontrollohej në mënyrë konstante nga anëtarët e saj.

Kjo bandë kishte mundur të krijonte degëzimet e saj në rajonet Toscana, Lombardia, Liguria. Puglia, Emilia Romagna e Tentino Alto Adige.

Droga mbërrinte në Itali me anë të automjeteve të modifikuara enkas për fshehjen e drogës e të pajisuar me aparate radio lokalizuese që mundësonin monitorimin e lëvizjes së tyre.

Automjetet drejtoheshin nga persona të pa dyshueshëm, të papërfshirë në vepra penale e me probleme ekonomike.

Hetimet e këtij operacioni janë koordinuar në bashkëpunim me autoritetet investigative shqiptare e maqedonase si dhe janë frut i disa takime operative të Drejtorisë së Antimafias italiane në Tiranë e në Ohër.

Rezultatet hetimore të këtij operacioni kanë ndihmuar autoritetet maqedonase në hetime të ngjashme të drejtuara nga Prokurori i Shkupit e nga Policia Kriminale Maqedonase për sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të drogës e arrestimin e personave përgjegjës.

EMISIONET