Një histori dashurie midis dy burrave të rinj, e ndërprerë për shkak të luftës, rikthehet papritur në skenë. Filmi “Martesa” i Blerta Zeqirit i përfolur pikërisht për këtë fabul në fazën e prodhimit vjen në ekranin e madh të kinemasë Millenium në Tiranë mbrëmjen e 2 shkurtit, i lejuar për moshat mbi 18 vjeç.

Eno Milkani, Producent: Ky skenar është ndërtuar nga vetë aktorët, Alban Ukaj, Genc Saliu dhe Adriana Matoshi. Gencin e njohim si këngëtar, si kompozitor. Por në këtë film është një zbulim. Ishte e papritur natyrshmëria e Gentit për sa i përket aktrimit.

Pas dy çmimeve në festivalin Black Nights të Talinit në Estoni dhjetorin e shkuar ku u vlerësua si debutimi më i mirë dhe me çmimin special të juarisë, është momenti për të parë se çfarë të rejash sjell ky film për kinemanë mbarëshqiptare.

Milkani: Edhe dialogu është shumë i natyrshëm. Në këtë film aktorët kanë ndërtuar dialogët vetë, kanë nxjerrë personazhin që kanë krijuar vet. 

Alban Ukaj, Adriana Matoshi, Genc Salihu konsiderohen një treshe e gjetur, krahas mënyrës së xhirimit nga Selvie Kastrati, drejtore e fotografisë.

Milkani: Tashmë një drejtoreshe fotografie e afirmuar, e kërkuar shumë edhe nga vetë kineastët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë.

Blerta Zeqiri është një autore  ambicioze. Me filmin e shkurtër “Kthimi” është vlerësuar Festivalin e Sandensit. “Martesa” është film i saj i parë i gjatë. Ky shënon edhe bashkëproduksionin e parë Shqipëri-Kosovë. Filmi është blerë nga “Ëide”, një kompani distribucioni ndër më agresivet për qarkullimin e filmit autor. Në fillim të marsit “Martesa” qarkullon në kinematë Cineplex dhe Imperial në Tiranë.



/Ora News.tv/