Tiranë, hapen zyrat e reja, edhe Veliaj rinovon kartën e identitetit

Tiranë, hapen zyrat e reja, edhe Veliaj rinovon kartën e identitetit

Për t'i dhënë fund radhëve dhe pritjeve për të aplikuar për kartë identiteti apo pasaportë biometrike, bashkia e Tiranës ka hapur zyra të reja  në të gjitha njësitë administrative.

Për të treguar se sa e thjeshtë është procedura e aplikimit për një pasaportë ose letërnjoftim të ri, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj aplikoi vetë për pasaportë dhe kartë identiteti pranë zyrave në Lagjen 13 në kryeqytet, ndërsa ftoi qytetarët që ende nuk kanë bërë regjistrimin e saktë të adresës së tyre, të përfitojnë nga kjo periudhë.

“Jam shumë i lumtur që lagjet e reja po ofrojnë lehtësira, që më parë ishin një andrallë e vërtetë për qytetarët. Radhë të tëra, dyndje në zyra, për pasaportat e reja dhe kartat e identitetit. Herën e fundit që isha në këtë zyrë, në zyrën e lagjes sime, më mori 2 minuta kohë që të bëja zhvendosjen e rezidencës. Do të thotë se duhet të regjistrohemi të gjithë atje ku banojmë, që bashkia ta ketë të lehtë edhe për investimet nesër, edhe për mënyrën si ndan buxhetin, ose si ofron shërbimet”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve që të nxitojnë të rinovojnë edhe dokumentet e tyre të identitetit.

“Mbarova punë në 2 minuta dhe për 2 javë do kem pasaportën e re dhe kartën e re të identitetit. I ftoj të gjithë qytetarët, shfrytëzoni këtë kohë sa ka rënë fluksi, mos prisni që të vijë fundi i vitit, kur të dalin jashtë përdorimit, por fare mirë mund t’i nxirrni jashtë përdorimit tani dhe të shfrytëzojmë këtë hapësirë për të bërë rinovimin e kartës, edhe të pasaportës”, tha ai, teksa shtoi se zyrat e reja kanë ndikuar në heqjen e radhëve të gjata.

“Duke qenë se fluksi i madh i marrjes së pasaportave ka filluar në vitin 2009, atëherë edhe fluksi i madh i skadimit të pasaportave dhe kartës së identitetit, është viti 2019, kështu që besoj se ashtu si puna ime ka edhe shumë qytetarë. Ftesa ime është: mos prisni deri në fundin e vitit, mos prisni derisa ta keni me ngut për një udhëtim që ju vjen pas pak ditësh, por shfrytëzoni këtë kohë të verës, ku edhe pse kanë ardhur emigrantët, edhe pse kanë skaduar pasaportat dhe kartat e identitetit, në aq shumë zyra sa kemi hapur në Tiranë, s’ka fare radhë”, u shpreh Veliaj.

EMISIONET