Administratori i një firme ndërtimi në Tiranë është arrestuar nga policia pasi akuzohet se i ka marrë shumën prej 65 000 Euro dhe 3 350 000 lekë  një personi për blerjen e një apartamenti, të cilin e kishte shitur edhe më parë.

Në pranga u vu Namik Pelivani, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, i proçeduar disa herë më parë.

"Arrestimi i shtetasit të sipërpërmendur u bë pasi ky shtetas ka mashtruar shtetasin A.L., të cilit i ka marrë  65 000 Euro dhe 3 350 000 lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 107.69m2, në zonën e Yzberishtit, apartament të cilin e kishte shitur më parë me kontratë noteriale fiktive në vitin 2013 dhe të rinovuar në vitin 2016, për t'i krijuar besueshmëri klientit", sqaron policia.  

Gjithashtu ky shtatas nuk ka përpiluar fatura shitjeje tatimore duke kryer transaksione monetare jashtë zyrave të noterit dhe jo me bankë, me qëllim shmangien e deklarimit të të ardhurave. 

Në cilësinë e provës materiale të dyshuarit iu sekuestruan 6 kontrata noteriale si dhe dokumenta të ndryshme si certifikata, skica apartamentesh dhe 1 aparat telefoni celular

Theksojmë se ky shtetas është proceduar më parë edhe 5 herë të tjera nga policia për vepra të ndryshme penale.

Materialet proceduriale në  ngarkim të shtetasit të mësipërm, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë,  për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Fshehja e të ardhurave”

/Ora News.tv/