Dita e shtunë do të ofrojë një përballje të fortë në Kategorinë Superiore, ndërmjet kampionëve në fuqi, Skënderbeut dhe klubit historik të Tiranës. Në prag të kësaj sfide, timonjeri i klubit bardheblu, Ze Maria duket se nuk është aspak i tensionuar pasi ka thuajse 99% të ekipit të gatshëm për këtë 90 minutësh dhe është i qartë për ekipin që do të hedh në fushën e blertë.

"Situata dhe humori i skuadrës është shumë i mirë, pasi me përjashtim të Hoxhallarit, i cili ka marrë karton të kuq në ndeshjen e fundit, pjesa tjetër e futbollistëve është e gatshme. Shpresoj se do arrijmë të mbajmë hapin e javëve të fundit dhe të arrijmë të marrin rezultate pozitive. Sa i përket formacionit besoj se do të jetë i njëjti nga ai i javës së fundit përballë Luftëtarit. "

Edhe pse përballë kampionëve në fuqi, Ze Maria ka pritshmëri të mëdha për skuadrën e tij dhe marrja e 3 pikëshit për bardheblutë është objektivi kryesor.

"Do të shkojmë në Korçë për të marrë 3 pikët, por nuk është në natyrën time që të mos firmos për barazim. Sigurisht që Skënderbeu do të respektohet pasi janë ata kampionët në fuqi, luan në fushën e tyre, pra janë disa faktorë në krahun e tyre, megjithatë ne do të shkojmë atje për të marrë fitoren."

Kujtojmë që ndeshja mes korçarëve dhe kryeqytetasve do të luhet ditën e nesërme, duke nisur nga ora 18:45.

/Ora News.tv/