Shtëpia ku jetoi dhe punoi për shumë vite për të shkruar disa nga veprat e tij më të njohura letrare gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, është kthyer në një muze.

Brenda apartamentit, ekspozimi ndahet midis dokumenteve origjinale, objekteve, librave dhe mobilieve, si dhe hapësira ku mund të marrësh njohuri për veprën e shkrimtarit, në formën e një këndi leximi.

“Shprehja e Ismailit se gjithmonë ka kohë që njeriu të bëjë diçka të dobishme për vendin e tij, është fantastike. Në njëfarë mënyre gjetëm kohë, në shumë punë që ka qyteti, të bëjmë diçka të dobishme për vendin tonë, jo diçka ekskluzive të Tiranës, por diçka që lartëson, por edhe që hap një dritare për një nga figurat më emblematike, një nga markat më të njohura ‘Made in Albania’, që është Ismail Kadare, Helena dhe familja e tyre, si dhe vepra që ka buruar nga kjo shtëpi, tha kryebashkiku.

Por në Pallatin me Kuba, siç njihet ndryshe në kryeqytet, ka jetuar edhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli.

“Ky pallat nuk ka qenë vetëm adresa e Ismailit dhe e Elenës, por është edhe adresa e familjes Agolli. Jemi në diskutime me të dy fëmijët e Dritëroit që të bëjmë të njëjtën gjë, dhe ta kthejmë edhe atë në muze. Kështu, i gjithë pallati do të jetë i vizitueshëm. Fehmi Ibrahimi dhe të tjera personalitete kanë jetuar në këtë pallat, ndaj besoj se herët a vonë do të kthehet në një destinacion ku Bashkia e Tiranës me muzeumet vendore do të fillojë një traditë të re”, nënvizoi Veliaj.

Puna nuk do të ndalet këtu. I gjithë pallati ku kanë jetuar dy korifejtë e letrave të gjuhës shqipe do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të thellë, që i është besuar arkitektit të tij, Maks Velo. Ky objekt i ndërtuar para viteve ’90 në mes të Tiranës ishte shfaqje e modernizmit dhe rezultoi si një provokacion i vazhdueshëm për artin zyrtar të asaj kohe.

/Ora News.tv/