1 Qershori këmbanë alarmi për fëmijët: 77% dhunohen, 50 mijë shfrytëzohen për punë

1 Qershori këmbanë alarmi për fëmijët:  77% dhunohen,

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve kryeqyteti u përfshi nga festa e protesta.  Shoqëria civile, zgjodhi të marshojë në formë proteste dhe të nënshkruajë një peticion për institucionet për të bërë thirrje për mbrojtjen e fëmijëve si dhe për të nxjerrë në pah të gjitha problemet me të cilat përballen.

Altin Hazizaj: "Vetëm 35 % e shkollave janë të aksesueshme nga fëmijët me aftësi të kufizuar. 77% e fëmijëve kanë përjetuar një formë dhune. 11% e fëmijëve, janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale nga të rriturit. Mbi 2000 fëmijë gjenden në situatë rruge,  ndërsa 50 mijë shfrytëzohen për punë.

Me slloganin "Jepni llogari për fëmijët" shoqëria civile zhvilloi një marshim protestë që nisi nga Reja dhe vijuan drejt kryeministrisë ku u firmos peticioni në formë simbolike.

Më pas në shenjë proteste u vendosën  140 kartonë të kuq tek kuvendi dhe në fund  në presidencë ku u pritën nga kreu i Shtetit, Ilir Meta, dhe dorëzuan peticionin kombëtar i cili mban firmën e 27 organizatave dhe rrjeteve kërkojnë nga institucionet shqiptare ndërmarrjen e hapave  konkretë dhe të menjëhershëm për realizimin e të drejtave të fëmijëve të sanksionuara nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, si dhe në detyrimet që kanë lindur nga Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm (SDG-të).

Meta e cilësoi si një kambanë alarmi raportin e fundit të ‘Save the Children’, ndërsa kërkoi që të bëhet më shumë për fëmijët.

Ilir Meta: "Raporti i fundit i 2018  i Save the Children është një këmbanë alarmi për të gjithë ne dhe institucionet shtetërore"

Gjithashtu presidenti priti edhe një grup fëmijësh nga shkolla të ndryshme të Tiranës.

Paralelisht me protestën u mbajt "Parada e Shkollave" që shkaktoi edhe trafik në disa segmente të qytetit pasi u devijua trafiku në sheshin "Nënë Tereza" dhe bulevardin "Dëshmorët e Kombit"


FOTO nga aktivitetet e 1 qershorit


JEPNI LLOGARI PËR FËMIJËT!

PETICION KOMBËTAR


Me anë të këtij Peticioni, organizatat e shoqërisë civile në të gjithë Shqipërinë, duan të risjellin në vëmendjen e publikut, mediave, zyrtarëve dhe ligjvënësve shqiptarë, angazhimet e ndërmarra nga Shqipëria për arsimin, kujdesin, mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve! Ne sot Ju kërkojmë që të merrni hapa konkretë dhe të menjëhershëm për realizimin e të drejtave të fëmijëve të sanksionuara nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, si dhe në detyrimet që kanë lindur nga Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm (SDG-të).

Ka kaluar tashmë një vit nga dorëzimi i letrës së hapur para zyrës së Këshillit të Ministrave, Kuvendit dhe Presidentit të Repubikës. Me keqardhje ne konstatojmë sot se kërkesat dhe rekomandimet tona ende nuk janë marrë parasysh!

 

ARSIMI 

Investimet publike në fushën e arsimit mbeten në nivele të ulëta! Ato përbëjnë vetëm 2.9% të PBB krahasuar me mesataren 4.5% të vendeve të BE; 50% e shkollave nuk kanë ujë të pijshëm dhe vetëm 30% kanë kushte higjene të përshtatshme. Vetëm 35% e shkollave janë të aksesueshme nga fëmijë me aftësi të kufizuar. Braktisja e shkollës arrin në nivelet 20% për fëmijët romë ndërsa mbi 45% e fëmijëve me AK! Pjesëmarrja e fëmijëve në qeverisjen dhe vendimmarrjen e shkollës është vetëm 3-5%.

JEPNI LLOGARI PËR FËMIJËT! 6% investime publike për arsimin! Çdo fëmijë ka të drejtë për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Të garantohet pjesëmarrja e fëmijëve në të gjitha vendimet që merren për ta në institucionet arsimore!

 

MBROJTJA SOCIALE

77% e fëmijëve në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës ndërsa 56% e fëmijëve janë viktima të bulizmit. 11% e fëmijëve deklarojnë se janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale nga një i rritur! Kjo ndodh në familje, në shkolla dhe institucionet e përkujdesit shoqëror. Mbi 60% e fëmijëve raportojnë internet të pasigurt! Mbi 2000 fëmijë gjenden në situatë rruge. Vetëm 7.8% e fëmijëve me aftësi të kufizuar kanë akses në shërbime të specializuara. 50,000 fëmijë në Shqipëri shfrytëzohen për punë! Shqipëria vlerësohet me 0 pikë në kapacitetet e saj parandaluese të ndarjes së fëmijës nga familja e tij biologjike dhe Bashkitë nuk kanë marrë masa efektive për të identifikuar familjet kujdestare. Sistemi i mbrojtjes së fëmijëve është i fragmentarizuar dhe nuk plotëson nevojat e fëmijëve dhe familjeve për mbrojtje dhe kujdes.

JEPNI LLOGARI PËR FËMIJËT! Politikat dhe praktikat në nivel qendror dhe lokal të sigurojnë që çdo fëmijë të jetë i mbrojtur në familje, shkollë dhe komunitet. Shërbimet komunitare të jenë të financuara 100% në nevojat e tyre! Shërbimet shoqërore të jenë të harmonizuara, mbështetese dhe integruese për fëmijët dhe familjet e tyre!  Është e nevojshme marrja e masave për forcimin e qëndrueshëm të familjeve biologjike.

 

SHENDETËSIA

Shqipëria është vendi i parë me vdekshmërinë foshnjore deri në 5 vjeç më të lartë në Ballkan: 13.5 fëmijë/për 1000 lindje. Niveli i anemisë te fëmijët 0-5 vjeç ka ardhur në rritje nga 22 % në 2011 në 24.9% në 2016 ndërkohë që 23.2% e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç janë poshtë standarteve të rritjes sipas OBSH.  Qendrat shëndetësore, sidomos ato në zonat rurale, janë larg zonave të banuara dhe kanë mungesë të theksuar investimesh në aparatura. Fëmijëve Rom, të papajisur me dokumenta në shumë raste iu refuzohet shërbimi shëndetësor. Stafet shëndetësore nuk janë të kualifikuara për të identifikuar problemet në zhvillimin e fëmijëve në moshë të hershme apo dhunën e neglizhencën ndaj tyre.

JEPNI LLOGARI PËR FËMIJËT! Çdo fëmijë meriton kujdes shëndetësor universal falas. Siguroni akses dhe shërbime shëndetësore cilësore për çdo fëmijë! Asnjë fëmijë nuk duhet të humbasë jetën nga një shkak i parandalueshëm!

 

 

VARFËRIA

20% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri absolute; 49% e familjeve me më shumë se 4 fëmijë janë të varfër dhe 22% e fëmijëve 0-4 vjeç jetojnë në varfëri. 17.4% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në familje me të ardhura më pak se 15,000 lekë/muaj ndërkohë që ende 2% e fëmijëve jetojnë në familje me zero të ardhura. Besohet se mbi 100,000 fëmijë në të gjithë Shqipërinë janë të rrezikuar nga varfëria!

 

JEPNI LLOGARI PËR FËMIJËT! Asnjë fëmijë nuk duhet të jetojë në varfëri! Shteti ka për detyrë të sigurojë ushqimin dhe strehimin për fëmijët!

AKSESI NË DREJTËSI DHE LIGJET PËR FËMIJËT

1/3 e të gjithë veprave penale në Shqipëri kryen nga fëmijët dhe të rinjtë! Kriminaliteti fëmijëror dhe ai rinor janë kthyer sot në kërcënim serioz për të drejtat e fëmijëve kudo në Shqipëri! Fëmijët përballen me procedura të stërgjatura gjyqësore dhe trajtohen njësoj me të rriturit. Mungojnë institucionet, programet dhe shërbimet e specializuara për fëmijët dhe të rinjtë në konflikt me ligjin. Shumë ligje për fëmijët vazhdojnë ende të mbeten të pazbatuara dhe strukturat në të gjitha nivelet janë të papërgatitura që të mbrojnë fëmijët! Gjykatat, prokuroria dhe policia e shtetit nuk kanë asnjë mjedis që i përshtatet standarteve ndërkombëtare për të drejtat e fëmijës!

 

JEPNI LLOGARI PER FEMIJET: Sistemi i drejtësisë dhe institucionet e saj nuk mund të shkelin më të drejtat e fëmijëve! Sistemi i drejtësisë duhet të jetë miqësor dhe të respektojë plotësisht të drejtat e fëmijëve dhe adoleshentëve! Ministria e Drejtësisë duhet të mbështesë të gjithë Zyrat Ligjore të hapura nga shoqëria civile, që ofrojnë falas shërbime informimi dhe mbrojtje për fëmijët në Shqipëri! Zbatoni modelet e reja të drejtësisë restauruese dhe masave të diversionit në frymën e Kodit të ri të Drejtësisë për të Mitur.

KY PETICION MBËSHTETET NGA KËTO ORGANIZATA DHE RRJETE:

1.ALO 116: Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët;

2.Avokati i Popullit;

3.ARSIS;

4.Ambasada PINK Shqipëri;

5-BKTF: Bashke per Kujdesin Teresor te Femijeve;

6-Fondacioni Down Syndrome Albania;

7-Fondacioni Shqiptar per te Drejtat e Personave me Aftesi te Kufizuara

8-CARITAS Shqiptar;

9-Koalicioni për Arsimin në Shqipëri;

10-Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara (MEDPAK);

11-MERIDIA Shqipëri;

12-Organizata të Ndryshem dhe të Barabartë;

13-Partnerë për Fëmijët;

14.Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA);

15.Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara;

16.Qendra për Nisma Ligjore Qytetare;

17.Qendra Fëmijët SOT;

18.Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN;

19.Save the Children Shqipëri;

20.Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën-SHKEJ;

21.Shoqata “Ndihmoni Jeten” Tiranë;

22.Shoqata Internacionale për Solidaritetin – SHIS;

23.Shërbimet Sociale Bethany;

24.Terre des hommes;

25.VEPRO PËR FËMIJËT: Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve;

26.VATRA Vlorë;

27.World Vision Albania

EMISIONET