Thirrja e nënës që humbi djalin nga droga

Thirrja e nënës që humbi djalin nga droga

Rijad Domaneku ishte vetëm 19-vjeç kur humbi jetën nga përdorimi i substancave narkotike. Ndonëse kërkoi ndihmën e nënës së tij për të lënë drogën, nuk arriti t’ia dilte.

Domaneku filloi të abuzonte me narkotikë në moshën 14-vjeçare dhe u nda nga jeta në vitin 2017. Ndërsa nëna e tij Arjeta Musliu, hapi një qendër këshillimi për të rinjtë që përdorin substanca të ndaluara.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ajo tregon se droga po përdoret nga të rinjtë e moshave 12-13 vjeç.

“Rasti i djalit tim ka qenë thjesht kureshtje që po ndodh tek shumica. Më herët ka qenë mosha 16-vjeçare e sipër. Fatkeqësisht përdoruesit tani i kemi të moshave 12-13 vjeç. Është me të vërtetë shqetësuese,”-tha Musliu.

Ajo u shpreh se djali i saj Rijad ishte viktimë e kësaj dukurie negative.

 “Në këtë rast djali im është viktimë e kësaj dukurie negative, e këtij fenomeni që fatkeqësisht ka marrë përmasa të mëdha. Kemi shumë elemente që nuk i shohim. Prindi nuk mund ta mendojë që fëmija i tij abuzon me substancat dhe në një formë neglizhohet. Përdoruesi i drogës nuk mundet t’ia dalë vetë definitivisht. Ajo thjesht mund të mbetet një dëshirë dhe pendim brenda vetes,”-shtoi psikologia.

Ndërsa Rijadi ishte në trajtim në spital kërkonte ndihmë nga nëna e tij. Ai dëshironte të shërohej dhe pastaj të përmbushte një mision të tijin.

“Më tha që: ‘Qendra po më pëlqen dhe do bëjmë diçka të mirë’. Më pyeti: ‘A do më përkrahësh nënë se unë vetë nuk ia dal’. I thashë kurrë në jetë nuk heq dorë prej teje. Në fund më tha që: ‘Kemi për të bërë diçka të mirë, vazhdimisht ma ka përmendur qendrën rehabilituese dhe unë do jemi ai që do pres shokët e mi dhe do i them që mund ta lësh drogën, lihet droga,”-rrëfeu Arjeta.

Ndërsa dha edhe një mesazh për të gjithë: “I lus të gjithë individët mos të paragjykojnë përdoruesit e drogës. Çdo sy i përdoruesit kërkon ndihmë, çdo shikim i tij kërkon ndihmë. Është shumë e rëndë. Çdo mëngjes lus Zotin që të jem nëna e fundit që përballem me këtë dhimbje.”



EMISIONET