“Thikat” që hëngri Haradinaj në Berlin, Rama dhe Thaçi e “shesin” kryeministrin e Kosovës…

“Thikat” që hëngri Haradinaj në Berlin, Rama dhe

Në takimet pa kamera dhe kokë më kokë, aty ku marrin jetë vendimet apo zhgënjimet e mëdha, Ramush Haradinaj, jo vetëm që ka mbetur vetëm, por dhe është vendosur në vështirësi nga kryeministri Rama dhe presidenti Thaçi, për taksën e posaçme ndaj Serbisë. Pra duket sikur presidenti Vuçiç që flet e përflet me të madhe çdo herë që jepet rasti kundër Haradinajt, ka patur në takimet e Berlinit, dy mbështetës të posaçëm gjeopolitikë.

Ky është një incident shumë i rëndë, rrëfyer me gojën e Haradinajt, ndodhur mes dy zjarreve, mes presionit të kancelares Merkel dhe presidentit francez Macron.

“Edhe dje u përsërit ajo që më ka ndodhë edhe në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Ma së vështiri ish. Edhe presidenti, edhe Edi Rama, më shumë bëjshin presion ata të dy me e heq taksën, sesa shtetet tjera. Të gjithë insistonin me respektu qëndrimin e kancelares dhe Macronit, që ky është një shans i mirë për Kosovën e që nuk duhet me e humb. Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, që e merrnin vesh edhe kancelarja edhe presidenti Macron”, ka thënë Haradinaj në një intervistë ekskluzive për T7 nga Berlini.

Si mundet të ndodhë një gjë e tillë, si mundet që një Samit Ndërkombëtar, në sy të personaliteteve më të pushtetshme të Europës, të ndodhë një “kurth” i tillë dhe i dakortësuar më herët ndërmjet Thaçit dhe Ramës, për të vizatuar Ramush Haradinajn si një politikan ekstremist radikal dhe gjeopolitikisht të palogjikshëm? Kë dëmton sëpari një qëndrim i tillë, i denoncuar nga Haradinaj? Sigurisht Republikën e Kosovës, në përpjekjen për të diskredituar kryeministrin e saj, në një vendimmarrje të ligjshme dhe trimërore njëkohësisht, të zgjuar dhe të arsyetueshme. Një përpjekje kjo, e taksës 100% ndaj mallrave nga Serbia, për të mos lejuar që Kosova, të shndërrohet në një koloni ekonomike e Serbisë e të mos pushtohet nga mallrat e saj të dorës së dytë.

“Unë u kam thënë që ai vendim është marrë nga zori (nga e keqja)…” – është detyruar të mbrohet Haradinaj, duke folur me Macron dhe Merkel në gjuhën angleze. Sepse “Serbia ka marrë vendime agresive ndaj nesh, që kanë rrezikuar sigurinë nacionale. Ky vendim hiqet vetëm në rast të një marrëveshjeje për njohje. Nëse përgatitet një marrëveshje për njohje dhe nënshkruhet mund ta suspendojmë (pezullojmë). Por jo për një proces të dialogut që mund të devijojë”.

Si ka mundësi që të vihet me shpatulla pas murit, kryeministri i Kosovës, që përfaqëson sot një qëndrimtar të qartë dhe të pakapërcyeshëm të mbrojtjes së interesave të Kosovës dhe përmes saj, sigurisht edhe të Shqipërisë mbarë? Për të mbrojtur interest e kujt? Të tregtarëve të shumicës, serbë dhe shqiptarë, që po humbasin para nga taksa Haradinaj?

Apo për të favorizuar gjoja “Procesin e Paqes” dhe dialogun me presidentin serb, që ka deklaruar dhjetëra herë dhe hapur që nuk do ta njohë Kosovën? Apo nuk ja kanë zbardhur këto deklarata burokratucët e zyrave të Tiranës, kryeministrit shqiptar? Me të drejtë Haradinaj thotë se në vetvete rifillimi i dialogut me Serbinë nuk përbën asnjë garanci të suksesit të këtij dialogu gjeopolitik, pa rrëfyer edhe vetë Kosova, qëndrueshmëri dhe pozita force.

“Edhe dje kam dalë keq. Ma mirë ka qenë që Edi dhe Hashimi me thanë që mos me vendosë kushte për dialog. Por tash kur të thotë presidenti yt dhe kryeministri i vendit tjetër (Edi Rama), i bjen që veç ti po e pengon këtë proces. Kjo nuk është në rregull. Ne s’kem ku me shku pa pas qëndrime të njëjta. Nuk besoj që dikush ka dilema që njohja është formula. Por si me ardhë deri te njohja, nuk duhet me dobësu pozicionin e Kosovës tek taksa. Heqja e taksës në start të dobëson”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka treguar se këto sulme të Thaçit dhe Edi Ramës ndaj tij kanë ardhur në pjesën informale të takimit ku është diskutuar për taksën. Dhe kështu përfaqësuesit më të lartë të të dy republikave shqiptare në Ballkan, janë përfaqësuar të përçarë dhe me një qëndrim të kundërt.

Ky është një qëndrim padyshim servil dhe përfitues nga ana e Edi Ramës, për të fituar pikët e humbura në Tiranë dhe në Shqipëri, në kurriz të Ramush Haradinajt, si një bashkëpuntor i zellshëm i të mëdhenjve të Europës në një hallkë shumë nevralgjike, që është edhe e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Por në të vërtetë, ky nuk ka qenë një qëndrim vetëm në kurriz të Haradinajt, por edhe në kurriz të Kosovës.

EMISIONET