Disa qindra banorë të Dukagjinit, pritet të dalin nga izolimi brenda dy ditëve të ardhshme, falë ndërhyrjes së ARRSH dhe përmirësimit të motit. Drejtori i ARRSH, Afrim Qendro, nga Shkodra deklaroi se puna vijon me ritme intensive. Ndërsa duke i kthyer përgjigje shqetësimit të ngritur nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, kreu i ARRSH tha se projekti i rrugës së Velipojës nuk sjell rrezik për përmbytje.

Thethi pritet të dalë nga izolimi brenda dy ditësh falë përmirësimit të kushteteve atmosferike dhe ndërhyrjes me fadroma që po kryen Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Nga Shkodra, Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH iu përgjigj edhe pretendimeve të kryetares së Bashkisë, Voltana Ademi dhe banorëve të prekur nga ndërtimi i rrugës së re të Velipojës, për të marrë parasysh faktorin e përmbytjeve në këtë investim.

Afrim Qendro: Ai është një projekt i cili ka marrë parasysh të gjithë elementët e përmbytjes, edhe në pikën e lidhjes por edhe përsa i përket mirëfunksionimit të tokës bujqësore.

Aktualisht në rrugën e Thethit po ndërhyhet me fadromat e vëna në dispozicion nga një firmë private dhe janë 14 kilometra për t’u zhbllokuar.

Trashësia e dëbores arrin deri në 50 centimeter dhe prej afro 1 jave ajo ka lënë të izoluar 200 familje të Thethit, në zonën e Dukagjinit.

/Ora News.tv/