Thaçi: Nëse qëndrojmë të bashkuar, dialogu me Serbinë do ketë rezultate të mira

Thaçi: Nëse qëndrojmë të bashkuar, dialogu me

Pas mbylljes së takimit me ekipin negociator të dialogut Kosovë-Serbi, Hashim Thaçi është shprehur se për të marrë rezultate të mira të gjithë duhet të jenë bashkë.

“Ne jemi koordinuar për një angazhim shtesë të të gjitha institucioneve, të një koordinimi dhe më të mirë të punëve tona.

Duke qenë të bashkuar do të kemi rezultate më të mira në dialogun Kosovë-Serbi, që përshinë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB,"-tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës tha në një konferencë për mediat se procesi është i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ndërsa theksoi se Kosova e rajonin janë ndryshe pas letrës së Presidentit të ShBA-së, Donald Trump.

"Procesi është i udhëhequr nga BE, por është ndryshe që pas letrës së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Kam besim që ekipi negociator do të kryej punën e vet, unë si president do të jap çdo këshillë dhe do të mbështes ekipin. 

Jam i bindur se aty ku do të jetë Këshilla e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë edhe vendimi i institucioneve të shtetit të Kosovës që ky proces aktiv që do të jetë edhe dinamik do të përmbyllet në përputhshmëri me aspiratën e plotë të Kosovës për NATO dhe Bashkim Evropian.

Çdo ide dhe sugjerim nga të tjerë është i mirëseardhur në mënyrë që procesi të jetë i plotë. Bota nuk na pret neve, nuk na ka vetëm neve, por edhe ne kemi ditur mos t’i zhgënjejmë të tjerët,”-shtoi ai. 

Në takim mori pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa, nga ekipi negociator ishin prezentë Shpend Ahmeti, Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Dardan Gashi dhe Mahir Yagcilar.

EMISIONET