Një samit ku pjesëmarrës janë liderët e Ballkanit, nuk mund të kalonte pa përplasje në deklarata dhe në veprime.

Mbledhja nisi me një shtrëngim duarsh të sikletshëm mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç.

Ende nuk dihet nëse e bëri qëllimisht apo për shkak të mos njohjes së protokollit, por Vuçiç ishte i vetmi nga liderët pjesëmarrës që nuk ndaloi për foton e rastit me Presidentët Meta, Kitaroviç dhe Pahor.

Thaçi: Dodik unë çuditem sesi është këtu kur është vizita e parë në në Samit të tillë. Është përgjegjësinë e autoriteteve ftuese.

Meta: Sa i takon prezencës së zotit Dodik, ju besoj e dini që Samiti i Brdo-Brijunit është tashmë një Samit që ka një format të përcaktuar të gjithë vendeve anëtare dhe padyshim edhe zoti Dodik ka qenë i ftuar dhe i mirëseardhur si President i radhës i Bosnje-Hercegovinës. Dhe besoj se ka mbetur mjaft i kënaqur, pasi ka qenë vizita e tij e parë në Shqipëri dhe ka premtuar se do të vijë edhe për turizëm dhe është i ftuar të vijë edhe për turizëm, pasi kishte dëgjuar fjalët më të mira nga shumë qytetarë të Bosnje-Hercegovinës për mikpritjen shqiptare.

Pjesëmarrja e anëtarit serb të Presidencës boshnjake, Milorad Dodik, solli përplasje në distancë mes Metës dhe Thaçit, ku ky i fundit e cilësoi të gabuar ftesën, ndërsa sipas Presidentit të Shqipërisë, kjo ishte pjesë e axhendës.

/Ora News.tv/