Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është tërhequr nga pretendimet se presidentët Thaçi dhe Vuçiç kishin rënë dakord për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai madje i ka telefonuar presidentit Thaçi për t’i kërkuar ndjesë në lidhje me deklaratat e bëra, për të cilat tha se ishin vetëm thashetheme të dëgjuara.

Pas stuhisë politike që shkaktoi në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është tërhequr nga pretendimet se presidentët Thaçi dhe Vuçiç kishin rënë dakord për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Zaevi i ka telefonuar presidentit Hashim Thaçi për t’i kërkuar ndjesë, ndërsa ka pohuar se pretendimet e ngritura në telefonatën me dy komedianët rusë ishin vetëm thashetheme. Këtë fakt e ka pranuar vetë kreu kosovar Hashim Thaçi.

Thaçi: Mbrëmë kam zhvilluar një bisedë telefonike rreth 20 minuta me kryeministrin Zaev, ai më thirri mua si president i Republikës së Kosovës për t’u sqaruar në atë çka ai ka biseduar me njerëzit të cilët e kanë thirrur. Më ka thënë shumë qartë se ka qenë një rrethanë në të cilën ka rënë pre e mashtrimit dhe gjithçka çka ka folur për gjoja 10 komunat e Kosovës që do t’i jepen Serbisë i ka folur duke u bazuar në thashetheme, në dezinformata dhe në të dhënat apo lansimet e gazetës "Sputnik" dhe thashethemeve ruse. Këto janë fjalët të cilat mi ka thënë, më ka kërkuar falje mua personalisht, por edhe Kosovës. 

Në të njëjtën kohë ka theksuar se ato që ai ka folur me mashtruesit të cilët e kanë thirrur në telefon janë gjëra të cilat nuk qëndrojnë në raport me Kosovën dhe se në të njëjtën kohë ka theksuar qartë se nuk ka asnjë fakt, asnjë evidencë, asnjë informacion zyrtar nga askush për atë që ka deklaruar, por të gjitha i ka të dëgjuara nga thashethemet lokale dhe ndërkombëtare. E në të njëjtën kohë në veçanti nga thashethemet e prezantuara dhe lajmet e rreme të gazetës "Sputnik".

Thaçi nënvizoi se raportet e Kosovës me Maqedoninë e Veriut kanë qenë dhe janë korrekte.

Presidenti i Kosovës madje zbuloi se edhe ai vetë ka qenë në shënjestër të dy komedianëve rusë para 8 muajsh.

Thaçi: Kanë tentuar të depërtojnë dhe në zyrën time.Para 7-8 muajsh kjo përpjekje. Falenderoj kabinetin për punën e tyre shumë profesionale që kanë shmangur këta dy mashtrues.

Dy komedianë rusë mashtruan përmes dy bisedave telefonike kryeminsitrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke ju shtrirur si ish-Presindeti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. 

Në biseda flitet për çështje të ndryshme përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi, ku ndër të tjera, Zaev thotë se ai dhe kancelarja Merkel janë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.


/Ora News.tv/