Teuta ka arritur të hedh një hap të rëndësishëm për kalimin në turin e dytë të Europa Ligë. Në "Niko Dovana" djemtë e detit kanë arritur të mundin me rezultatin 3-1 Daça Kishinau në një takim i cili u shoqërua me emocione të forta, por që nuk u vu asnjëherë në dyshim fitorja e durrsakëve. Teuta tregon shpejt qellimin e saj për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të shpresuar kalimin e këtij tur në Europa Ligë. Të besuarit e teknikut Gugash Magani qarkullojnë më shumë topin, por nuk arrijnë të çajnë murin mbrojtës të kundërshtarëve deri në minuten e 28 kur vjen edhe goli i parë i këtij takimi. Sulmesi veteran Xhafa arrin të zhbllokojë shifrat dhe ti japë skuadres durrsake avantazhin. Festa në "Niko Dovana" zgjat vetëm 9 minuta. Një kundërsulm i shpejtë i moldavëve gjen në befasi mbrojtjen e Teutës, që i lejon Pavlov të shënojë golin e barazimit. Pjesa e pare e parë mbyllet në barazim 1-1 ndërsa fraksioni i dytë i lojes nis serish me një Teutë që kontrollon topin dhe tenton të rrezikojë porten e kundërshtarit. Durrsakët e kuptojnë se barazimi 1-1 nuk u intereson për ndeshjen e kthimit ndaj gjejnë motivimin për të shënuar golin e avantazhit që në minutën e 68-të me autor mesfushorin Dosti. Për të vulosur triumfin e parë të këtij sezoni në Europë për Teuten duhet një eurogol i Mancakut në minuten e 73 i cili i çon shifrat në 3-1. Kaq i mjafton skuadres durrsake për të hedhur një hap të rëndësishem drejt kualfikimit edhe pse duhet pritur takimi i ardhshëm që të mësohet zyrtarisht një gjë e tillë. Ndër tre skuadrat që moren pjesë në këtë tur të Europa Ligë, Teuta bëhet skuadra e parë shqiptare që arrin të shënojë një fitore dhe ka shanset më të mëdha për të vazhduar aventuren europiane.

/Ora News.tv/