Tetë orë diskutime, asnjë marrëveshje në mbledhjen e VV-së

Tetë orë diskutime, asnjë marrëveshje në mbledhjen e

Lëvizja Vetëvendosje, e përçarë nga mosmarrëveshjet, të hënën ka mbajtur një mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar të saj, në përpjekje për të zgjidhur problemet e brendshme në parti.

Në mbledhje kanë marrë pjesë edhe anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në Vetëvendosje - përveç dy prej tyre: Aida Dërgutit dhe Faton Topallit.

Mbledhja e partisë së ndarë më dysh, që ka zgjatur tetë orë dhe që është mbajtur një ditë pasi Albin Kurti ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të partisë, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje mes grupit që ia mban anën atij, dhe krahut të Dardan Molliqajt.

Sipas kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i vetmi pajtim në këtë takim ishte për vazhdim të diskutimeve.

“Problemi është i dukshëm dhe ka probleme të theksuara. Nuk kemi arrit që të gjejmë marrëveshje apo dakordim për rrugën përpara. Së paku u dakorduam që të diskutojmë. Një problem që është krijuar për kohë të gjatë vështirë që mund të zgjidhet për katër orë”, është shprehur Ahmeti pas mbledhjes.

Të dorëhequrit e Lëvizjes Vetëvendosjes kanë pasur nga 10 minuta kohë për të folur në këtë mbledhje.

Sipas deputetit Glauk Konjufca, një nga temat e diskutimit ishte versioni i të dorëhequrve për situatën në të cilën ndodhet VV.

"E kemi dëgjuar secilin veç e veç. Kemi folur secili nga 10 minuta. Për këtë edhe na ka marrë kohë”, ka treguar Konjufca.

Pas mbledhjes së gjatë të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, është deklaruar edhe ish-kryetari i VV’së, Visar Ymeri.

Ai ka thënë se nuk pret përafrim të qëndrimeve mes dy blloqeve, teksa ka kërkuar që Kurti të heqë dorë nga kandidatura për të parin e VV’së.

“Nuk shoh asnjë përafrim. Nuk shoh asnjë vullnet që të diskutohet mbi zgjidhjen e problemeve”, është shprehur Ymeri.

Ai ka thënë se secili anëtar duhet t’i ketë përpara interesat e partisë, para interesave personale.

“Konsideroj që VV’ja është në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe në këtë fazë do të duhej që secili të heq dorë nga vetja për të mirën e organizatës, dhe mendoj që kjo do të ishte zgjidhja për organizatën. Por nuk e di nëse kjo do të ndodhë”, ka deklaruar Ymeri para gazetarëve.

I fundit që është deklaruar pas mbledhjes tetorëshe ishte Kurti, që po synon të kthehet në krye të VV’së.

Kurti i ka thënë vetëm dy fjali pas daljes nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka paralajmëruar vetëm se diskutimet në VV do të vazhdojnë.

“Ishte mbledhje e gjatë dhe diskutimet vazhdojnë dhe puna në Lëvizje do të vazhdojë”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Kurti, kandidimi i të cilit për kryetar të VV’së konsiderohet të jetë arsyeja kryesore e përçarjes së partisë opozitare, nuk deshi të komentojë më gjatë zhvillimet në mbledhje, teksa nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje të gazetarëve. /Express/ 

EMISIONET