Tensione para zgjedhjeve, policia përplaset me protestues të ekstremit të djathtë

Tensione para zgjedhjeve, policia përplaset me protestues të ekstremit

Situata parazgjedhore në Itali vijon të mos jetë e qetë, teksa policia në Torino është përplasur me protestues të ekstremit të djathtë. Këta të fundit marshuan kundër një tubimi neo-fashist, me qëllim pengimin e organizimit. Por policia ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e demonstruesve. Të tilla incidente janë regjistruar edhe përgjatë muajit të kaluar.

Policia italiane është përplasur me rreth 100 protestues të ekstremit të majtë të cilët marshonin kundër një organizimi neo-fashist në qytetin verior të Torinos, mbrëmjen e së enjtes.

Protestuesit “anti-fashistë” u përpoqën të kalonin kordonin policor për të arritur në ambjentet ku partia Casapound po mbante një tubim për kandidatët e saj.

Por demonstruesit hasën në rezistencën e policisë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj tyre.

Dy fraksionet u ballafaquan më pas në distancë, teksa protestuesit hodhën tymuese dhe shishe ndërkohë që mbanin banderola ku lexohej “Torino është anti-fashist”.

Policia u detyrua të përdorte më shumë gaz lotsjellës, duke u përpjekur të shpërndante demonstruesit.

Raportohet se tre oficerë mbetën lehtësisht të plagosur nga përballjet, ndërkohë që janë kryer edhe arrestime.

Kjo përplasje shihet si një shenjë e tensioneve gjithnjë në rritje përpara zgjedhjeve kombëtare të cilat do të mbahen më 4 mars.

Ngjarja nuk është e para, teksa një seri incidentesh të dhunshme janë regjistruar përgjatë muajit të kaluar, duke ngritur shqetësime për rikthimin e dhunës politike të viteve ’70 dhe ’80.

Kujtojmë se më herët gjatë këtij muaji, një italian 28-vjeçar me prirje naziste, plagosi 6 emigrantë afrikanë në Macerata, përpara se të ndalohej nga policia.

EMISIONET