Stuhi ere dhe dëbore, përmbys kamionë dhe dëmton çati

Stuhi ere dhe dëbore, përmbys kamionë dhe dëmton çati

Dy kamionë u përmbysën në superstradën Lezhë-Milot si pasojë e erës së fortë që ka përfshirë qarkun prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës.

Drejtuesit e mjeteve fatmirësisht shpëtuan me lëndime të vogla, por mjetet shkaktuan vështirësi në qarkullim në superstradë, ku policia e shtetit u bën apel drejtuesve të lëvizin me kujdes.

Disa shtëpi ndërkohë janë dëmtuar si pasojë e erës së fortë në Pukë e Lezhë si pasojë e stuhisë

Flora Filipi: "Stuhija dëmtoi tjegllat dhe gati sa nuk u dëmtua fëmija"

 Probleme pati edhe me furnizimin me energji elektrike për shkak të dëmtimit të shtyllave ose linjave të shpërndarjes në disa zona të vendit, për riparimin e të cilave mbërritën në terren punonjësit e OSHEE.

E shtuna riktheu edhe reshjet e dëborës që përvec zonave malore të Korçës, Dibrës e Kukësit zbritën edhe në Tiranë, Krujë e Durrës.

Reshje dëborë u regjistruan edhe në  Qafën e Llogarasë, por nuk ka probleme.

Në zonat malore të Korçës, trashësia e dëborës arrin në 30 cm.

Në rrugët Korçë-Ersekë, Qafë Bigell-Dogana Goricë, rruga e Dardhës dhe e Voskopojës lëvizet me zinxhirë.

Dëbora dhe temperaturat e ulta mbizotëruan edhe në qytetin juglindor

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se kompanitë e mirëmbajtjes kanë vazhduar punën për mbajtjen hapur të segmenteve rrugore.

Në porte ndërkohë vijon puna normalisht



EMISIONET