Një vrasje me armë zjarri tronditi Lezhën mëngjesin e së mërkurës. Ngjarja ndodhi rreth orës 8:00 , në fshatin Mërqi ku viktimë mbeti shtetasi Gjin Marku 64-vjeç i cili ishte kryeplak i fshatit.

Ai është qëlluar me breshëri automatiku teksa po mblidhte barin në një parcele pranë banesës së tij.

Nga të shtënat 64-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes bëri të ditur se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin Tonin Ndojë nga Kashnjeti me banim në fshatin Mërqi dhe ishte dhëndër i familjes së viktimës.

Krimi për barin e korrur

Nga hetimet paraprake të policisë thuhet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes viktimës dhe autorit. Ky i fundit i kishte kërkuar mikut të tij që ti jepte barin që kishte korrur, por kjo nuk është pranuar nga viktima. Në momentin kur ka parë 64-vjeçarin që po mblidhte barin dhe po e ngarkonte në kamionçinën e tij, autori ka marrë armen dhe ka qëlluar në drejtim të mikut të tij duke e lënë të vdekur në vend.

Arrestohet autori 

Disa orë pas krimit policia njoftoi arrestimin e autorit.

"Policia e Lezhës menjëherë pas marrjes së njoftimit  vijoi kontrollet e  pandërprera për lokalizimin dhe kapjen e autorit ku   falë edhe bashkëpunimit me familjarët  e autorit të dyshuar, në këto momente është bërë arrestimi i shtetasit T. N., 50 vjeç, banues në Lezhë, si autor i dyshuar i vrasjes së 65 vjeçarit  pas një konflikti për motive të dobëta.   Gjithashtu u sekuestrua arma tip "Kallashnikov", me të cilën dyshohet se  ka kryer krimin" informon policia e Lezhës.  

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Lezhë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasje me paramendim" dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve  luftarake”, parashikuar nga nenet 78 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Në lidhje me ngjarjen policia shoqëroi 3 persona të cilët po mblidhnin barin me viktimën dhe po merren në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gëzhojat e armës të gjetura në vendin e ngjarjes.

(Në foto: arma e krimit)


/Ora News.tv/