Prodhuesit shqiptarë kanë ngritur shqetësim për akuzat e ngritura mbi sigurinë e produkteve shqiptare. Në reagimin për mediat është kërkuar që të publikohen emra konkret të abuzuesve në mënyrë që të mos krijohet panik te konsumatorët. Madje duke theksuar se produktet janë të sigurta, kreu i Dhomës së Tregtisë u shpreh se prodhimet shqiptare janë më të preferuarat në Gjermani krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.

Prodhuesit shqiptarë kanë bërë apel që të ndahet “shapi nga sheqeri” dhe kush abuzon me sigurinë ushqimore të ndëshkohet nga ligji ndërsa të ndershmit të mos baltosen në grup.

Sokol Krako, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, ka reaguar pas akuzave të hedhura së fundmi dhe ka bërë apel që denoncimet të bëhen me emra dhe fakte konkrete pasi në këtë mënyrë mbrohen konsumatorët dhe bizneset.

Sokol Krako: Kjo situatë e cila për fat të keq dhe për çudi po na përsëritet çdo vit po na krijon një panik në treg, çorienton konsumatorin, ul besimin te produktet vendase. Produkti vendor është krenari kombëtare dhe ne duhet të jemi të gjithë bashkë për për ti mbështetur ato.

Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, bëri apel që shteti të rrisë kontrollin dhe të mbrojë investimet serioze.

Nikolin Jaka: Ne duhet të negociojmë kapitujt sipas potencialeve reale që kemi për të eksportuar. Edhe qeveria, edhe industria e mediave të kuptojnë rolin real që kanë në procesin e integrimit dhe në procesin që duhet ti japim optimizëm jo vetëm konsumatorit për konsum por edhe investitorit për investim.

Jaka në deklaratë u shpreh se tashmë ka nisur eksporti i perimeve shqiptare drejt Gjermanisë, madje duke u renditur si vendi i parë në ballkan për produktet që furnizon.

Për të parandaluar abuzime me sigurinë ushqimore përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe institucionet publike vendosën krijimin e “Aleancës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhimit Vendor.”

/Ora News.tv/