Të gjithë të kënaqur me raportin e OSBE-ODIHR!

Të gjithë të kënaqur me raportin e OSBE-ODIHR!

Raporti i odihr për zgjedhjet e 30 qershorit solli një reagim zinxhir të politikës shqiptare. Ministri i Jashtën në detyrë, Gent Cakaj, për të gjitha problemet e evidentuara në raport etiketoi si fajtore opozitën, ndërsa përtej kësaj kërkoi dialog politik. Menjëherë reagoi opozita, ku Sekretari i Përgjithshëm demokrat, Gazment Bardhi, tha se qartësisht raporti rrëzon 30 qershorin duke theksuar se qeveria, prokuroria dhe gjykatat kanë shkelur ligjin. Ndërsa, Petrit Vasili i LSI-së, tha se ODIHR,  konfirmoi paligjshmërinë e 30 qershorit.

Ministri i në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një konferencë të gjatë për mediat, tha se  raporti i  osbe/odihr  për zgjedhjet e 30 qershorit,  kritikonte ashpër qëndrimet e opozitës.

Sipas tij edhe pse zgjedhjet nuk ishin në lartësinë e duhur, misioni ndërkombëtar i ka certifikuar si demokratike.

Cakaj: Zgjedhjet e 30 qershorit kanë qenë të rregullta, demokratike, në përputhje me standardet ndërkombëtare me probleme evidente që vijnë drejtëpërdrejtë nga sjellja e opozitës në raport me institucionin e zgjedhjeve në Shqipëri në përgjithësi kohëve të fundit.

Ndërsa foli për axhendë të opozitës jo parlamentare kundër integrimit të vendit,  Cakaj tha se më me rëndësi se tregtia me lajmet e rreme, është nisja e një dialogu politik.

Cakaj: Ka ardhur koha për të lëvizur përpara për të iniciuar dialogun ndërpartiak dhe mbarëshoqëror për të garantuar themelet e një demokracie më cilësore në Shqipëri.

Nuk vonoi reagimi i opozitës, ku Sekretari i Përgjithshëm demokrat, Gazment Bardhi, tha se për herë të parë në historinë e vëzhgimit të zgjedhjeve në raportin final nuk specifikohet që zgjedhjet ishin demokratike.

Bardhi: Nuk është përgjegjësi e opozitës, por është përgjegjësi e qeverisë që organizoi dhe mbajti votime pa një dekret në fuqi të Presidentit të Republikës. Nuk është përgjegjësi e opozitës që në papërgjegjshmëri totale dhe në vullnetin e vetëm për të marrë pushtet dhe për të përfituar pushtet Edi Rama injoroi interesin e qytetarëve dhe i detyroi ata që në vend që të zgjidhnin për kryetarët e tyre të bashkive të ishin përpara zgjedhjes nëse duhet apo jo të merrnin pjesë në votim, ky është thelbi i votimeve të 30 qershorit sipas raportit të OSBE/ODIHR-it.

Për të njëjtën çështje reagoi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Vasili: Përfundimisht të gjitha pushtetet në Shqipëria janë pushtuar nga kapja, degradimi dhe korruptimi i tyre prej rilindjes si pjellë e antishtetit. Zgjedhjet e 30 qersdhorit ishin të paligjshme.

OSBE-ODIHR, krahas shume kritikave dhe rekomandimeve, në raport theksonte se me 30 qershor nuk u mor parasysh interesi i qytetarëve, ndërsa në 50 përqind të bashkive qytetarët nuk kishin alternativë zgjedhje.

 

EMISIONET