Meksika dhe Kanadaja mund të përjashtohen përkohësisht nga plani i Donald Trump për të tarifuar importet e metalit. Shtëpia e Bardhë deklaroi se masat pritet të nënshkruhen deri në fund të kësaj jave, pavarësisht kritikave dhe kundërshtive si brenda ashtu edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Disa vende mund të përjashtohen nga planet e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e tarifave ndaj metaleve të importuara.

Shtëpia e Bardhë lajmëroi se këto përjashtime do të përfshijnë Kanadanë dhe Meksikën, bazuar në sigurinë kombëtare.

Sipas zëdhënëses Sarah Sanders, presidenti Donald Trump do të nënshkruajë masat deri në fund të kësaj jave, pavarësisht kundërshtive brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, duket se zbutja e qasjes së Shteteve të Bashkuara mbi tarifat nuk do të zgjasë shumë.

Këshilltari i tregtisë në Shtëpinë e Bardhë, Peter Navarro, deklaroi se taksat do të fillojnë të zbatohen në 15 ose 30 ditë kohë dhe do të ketë një klauzolë që nuk i vendos menjëherë këto tarifa mbi Kanadanë dhe Meksikën.

Presidenti Trump është ankuar për deficitin tregtar amerikan, duke argumentuar se vendet e tjera kanë “përfituar” për dekada të tëra nga Shtetet e Bashkuara.

Një nga premtimet e fushatës së tij ishte rindërtimi i industrive amerikane të çelikut dhe aluminit, të cilat janë trajtuar në mënyrë të turpshme nga vende të tjera.

Kështu, sipas propozimit të kreut amerikan të shtetit, produktet e çelikut do të taksohen me 25% dhe të aluminit me 10%.

/Ora News.tv/