Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mirëpritur presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç në një vizitë në Berlin. Marrëdhëniet dypalëshe, roli i Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhënia e Beogradit me Prishtinën kanë qenë ndër temat kyçe të diskutuara mes dy liderëve. Në konferencën për shtyp pas takimit, kancelarja Merkel vlerësoi punën që Serbia ka bërë deri më tani, ndërkohë që inkurajoi vazhdimin e reformave.

Merkel: “Gjermania dëshiron të mbështesë rrugën europiane të Serbisë. Negociatat e anëtarësimit mund të jenë të suksesshme nëse reformat vijojnë të zhvillohen në fushën e sundimit të ligjit dhe në përmirësimin e marrëdhënies me Kosovën. Ndaj ne biseduam si mund të arrijmë një zgjidhje ligjore për këtë çështje.”

Presidenti Vuçiç theksoi gatishmërinë për një kompromis me Kosovën, por deklaroi se është e papranueshme që vetëm Serbia të dalë e humbur.

Vuçiç: E dimë që kemi shumë për të bërë për të zgjidhur pengesat në marrëdhënien mes Beogradit dhe Prishtinës. Serbia është gati për një kompromis ku të dyja palët të humbasin diçka, edhe nëse nuk janë të kënaqura. Nuk mund të pranojmë që Serbia të jetë humbësja e vetme.”

Dy liderët diskutuan gjithashtu edhe lidhjet financiare mes vendeve, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm mes tyre.

/Ora News.tv/