Europa ja ka dalë të bëjë bashkë mazhorancën dhe opozitën duke miratuar me konsensus rezolutën e Komitetit të Stabilizim Asocimit që i dorëzohet Parlamentit Europian. Mazhoranca pranoi plot 9 amendamente të opozitës për shqetësimet kryesore që nga marrja e masave për shitblerjen e votës deri tek hetimi i politikanëve të lartë si njërëzit e zakonshëm, pa mbrojtje nga parlamenti. Drejtuesja e delegacionit europian në Komitetin e Stabilizim Asocoimit, Monica Macovei, u kërkoi politikanëve në Tiranë që të lënë menjanë sherret dhe të dialogojnë, në të mirë të vendit.

Pak muaj para vendimit për çeljen ose jo të negociatave, mazhoranca dhe opozita gjetën konsensus duke miratuar në unanim rezolutën e Komitetit ndërparlamentar të stabilizim asocimit Shqipëri-BE.

Votimi u zhvillua me dyer të mbyllura, por pas mbledhjes kjo u konfirmua nga socialisti Taulant Balla dhe demokrati Genc Pollo.

Balla: Lajmi kryesor për ju sigurisht është fakti që të gjithë u bëmë bashkë, eurodeputetë dhe deputetë shqiptarë për tu kërkuar vendeve anëtare përmes Këshillit dhe Komisionit në rradhë të parë që të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë, përcaktimin e një date për fillimin e negociatave.

Pollo: Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë edhe pse qeveria mund të vazhdojë me refrenin e saj se fajtore është opozita për gjithçka, përfshirë edhe integrimin europian. Janë faktet që flasin më shumë se deklaratat.

Kjo ishtë mbledhja e 12 e Komitetit të Stabilizm Asocimit, ndërsa në 5 vite mazhoranca dhe opozita kanë gjetur vetëm 3 herë konsensus për nje rezolutë të përbashkët.

Monica Macovei, e cila drejtoi delegacionin e parlamentarëve europianë, u kërkoi politikanëve në Tiranë që të lënë menjanë sherret dhe të dialogojnë, në të mirë të vendit.

Ajo shpreson që në qershor, Parlamenti Europian do të japë një datë për çeljen e negociatave.

 Monica Macovei: Besoj se Komisioni Europian do të japë një datë për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE dhe më pas do të presim, do të shpresojmë dhe do të lobojmë tek Këshilli i përbërë nga shtetet anëtare që të votojnë pro-çeljes së negociatave. Hedhja e nje hapi drejt BE siç do ishte caktimi një datë për çeljen e negociatave do ndikojë në përmirësimin e jetës në vend.

Rezoluta përbehet nga 15 rekomandime, por çfarë përmbajnë ato?

Në pikën e parë theksohet mbështetja e plotë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, nëse implementohen të 5 prioritetet kyçe.

Gjithashtu këmbëngul në nevojën e kryrjes së reformës zgjedhore dhe implementimin e rekomandimet e OSBE/ODIHR, përfshi masat kundër blerjes së votës dhe me qëllim parandalimin e presionit mbi votuesit nga rrjete kriminale dhe të drogës, kërkesë kjo e opozitës në komitet.

Rezoluta që i dorëzohet Parlamentit Europian, i kërkon Shqipërisë të shtojë përpjekjet dhe të arrijë rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa vëren me shqetësim numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë në vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Gjithashtu në rezolutë evidentohet roli pozitiv i Shqipërisë në ruajtjen dhe thellimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët, ndërsa inkurajohet përpjekja për gjetjen e një marrëveshjeje në kufinjtë detarë me Greqinë.


/Ora News.tv/