Tahiri, Xhafaj dhe Llalla, si trekëndëshi i Bermudës…

Tahiri, Xhafaj dhe Llalla, si trekëndëshi i Bermudës…

Trekëndëshi i Bermudës, është një hapësirë e frikshme në Karaibe, ku cunamet dhe forcat magnetike negative, kanë krijuar një mister të trishtueshëm dhe shumë legjendar, si trekëndëshi i humbjes pa nam e nishan…

Duket sikur, në mënyrë të ngjashme edhe në politikën e sotme shqiptare, Tahiri, Xhafaj dhe Llalla, po shndërrohen në koordinatat e një furtune shkatërrimtare, që do të përcaktojë në shtatorin e ardhshëm, maksimumin e goditjes së vet.

Në të njejtën kohë, Tahiri, Xhafaj dhe Llalla, janë tre nga njerëzit më të informuar në Shqipëri, njerëzit më të specializuar dhe më të pasurit në çështje dosjesh, të cilat mund të hedhin në erë, cilindo politikan në Shqipëri, duke filluar nga jeta private dhe deri te dokumentat më komprometuese të natyrës politike dhe të natyrës ekonomike.

Lufta kundër Adriatik Llallës përshembull, do të ketë shpejt si përfundim të parë, nxjerrjen në treg të shumë dosjeve që lidhen me korrupsionin e qeveritarëve dhe ministrave të Ramës, të cilat Llalla disponon. Nëse nuk nënshtrohet, “raprezalja” e ish Prokurorit të përgjithshëm do të mund të jetë shkatërrimtare për kryeministrin dhe sepse do të jetë padyshim një proces jo më i kontrollueshëm. Urtësia dhe qetësia e ish kryeprokurorit është vetëm aparencë dhe lidhjet me shpresën se gjërat mund të marrin për mirë, që do të thotë të zgjidhen përmes kompromisit.

Tanimë Adriatiku shquhet si njeri që deri dje ka qenë besimplotë në negociatat e fshehta me të dërguarit e Ramës, që bindën të largohet urtë e butë nga posti i lartë, në pritje të një portofoli ministror si shpërblim.

Dhe shpërblimi erdhi: Llalla është sot në një pozitë shumë të vështirë për lirinë e tij personale.

Rasti i Tahirit është më i qartë. Edhe ai gjendet sot në kufirin e besimit e të mosbesimit, ku fijet e të ardhmes së tij, janë të varura po te kryeministri, që shkallë shkallë po e çon me këmbët e veta në shkallën më të fundit para greminës.

Nuk do të ishte habi që përpara shtyrjes fatale drejt greminës, të kërkohet nga Tahiri që të bërtasë me të madhe: Rroftë Partia Socialiste dhe rroftë udhëheqësi Rama!

Pastaj të bëhet i famshëm duke dërguar letra nga burgu!

Rasti i ministrit Xhafaj, që është në shpërthim, duket qartazi që e ka burimin nga vetë kupola drejtuese e Ps dhe ndoshta edhe nga vetë Tahiri, që ka shpresën dhe iluzionin e rremë, se duke shtyrë më parë ministrin e sotëm të brendshëm, do të jetë ai, Fatmir Xhafaj pra, koka e kurbanit që do ti dërgohet në tepsi zonjës Merkel.

Dhe duket se Partia Demokratike, po i jep një dorë të mirë në këtë drejtim edhe Tahirit edhe Ramës, që mezi e duron Xhafën dhe autoritetin e tij të sponsorizuar nga amerikanët.

Mirëpo pas gjithë kësaj, në të vërtetë po gatuhen të gjitha elementët e duhur, për një shpërthim të madh skandalesh, që do të ketë një rreze shkatërrimtare 360 grade dhe që ndoshta do ta shpëtojë Shqipërinë, nga pjesa më e madhe e kësaj klase politike, që ska me se çthotë e ska më se çtë bëjë…

Pikërisht si trekëndëshi vrastar i Bermudës. /360grade.al/

EMISIONET