Partia Demokratike ka akuzuar për korrupsion dhe konflikt interesi Ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Në një dalje të posaçme për mediat në selinë blu janë denoncuar tre raste me një fond prej 550 milionë lekësh, që sipas kësaj force politike, kanë përfituar familjarët e Ministres. Akuzat janë cilësuar të pavërteta prej Spiropalit, e cila ka deklaruar se do të paraqesë denoncim në prokurori.

Partia Demokratike publikoi një skemë ku pretendohet se në mënyrë korruptive dhe  konflikt interesi, familja e Ministres Elisa Spiropali,  ka marrë nga fondet publike 550 milionë lekë.  

Drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion, Lealba Pelinku, thotë se në skemën korruptive  është përfshirë direkt  vëllai, bashkëshorti dhe vetë Elisa Spiropali.

Lealba Pelinku: 550 milionë lekët janë marrë me tendera të vegjël, që nuk tërheqin vëmendjen. Me tendera 6-7 milionësh, bahskëshorti i Elisa Spiropali i ka dhënë kompanisë së krijuar nga kunati i tij, vëllai i Elisës rreth 350 milionë lekë. Është e faktuar si nga transaksionet e thesarit, ashtu edhe nga të dhënat e Tenderave Publikë se ish drejtoresha e doganave ka blerë përmes tenderave deri edhe traun e doganës në kompaninë e vëllait të saj. Sipas të dhënave të siguruara nga Thesari i Shtetit, kompania Solomon, në kundërshti me ligjet e vendit, ka përfituar fonde dhe tendera edhe nga drejtoria e Doganave Fier, në të njëjtën kohë kur Elisa Spiropali ishte drejtoreshë doganash. Më pas, edhe dogana Vlorë është në listën e atyre që kanë dhënë miliona.  Më saktë rreth 67 milionë lekë.

Ndërsa deputetja, Jorida Tabaku, i kërkoi  Inspektoriatit të Pasurive të nisë menjëherë hetim pasuror për atë që e quan  pasuri të  paligjshme të Elisa Spiropalit.

Jorida Tabaku: Historia e pasurimit të paligjshëm të famijes së Elisa Spiropalit është një provë tjetër se shqiptarët nuk meritojnë më të helmohen as nga propaganda e shëmtuar, as nga gazi lotsjellës i një qeverie, që prioritet të vetëm ka vjedhjen e shqiptareve! Është koha që së bashku ta shembim këtë sistem për t’i hapur rrugë një vendi normal, ku ministrat nuk emërohen për të vjedhur, por për të shërbyer.

Për akuzat reagoi Ministrja Spiropali, e cila mohoi që vëllai i saj të ketë  përfituar kurrë  kontratë apo fond publik.  

Ajo tha se do të padisë për shpifje zyrtarët e Partisë Demokratike.




/Ora News.tv/