Edhe pse u shpallën fitues në skemat e subvencioneve përgjatë 2017, me dhjetëra blegtorë në vend nuk arritën të merrnin paratë. Zv/Ministri i Bujqësisë, Ilir Halilaj, shpjegon se kjo situtatë ka ardhur si rezultat i bllokimit të fondeve si rezultat i qeverisë teknike. Numri dy i bujqësisë fton fermerët dhe blegtorët të aplikojnë sërish pasi këtë vit do të kenë më shumë lehtësi. Për vitin 2018, qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 20 mln eurosh.

Fermerët dhe blegtorët që u shpallën fitues në skemat e subvencioneve gjatë 2017 nuk mundën të mernin paratë për shkak të bllokimit të fondit si pasojë e qeverisë teknike.

Edhe pse nuk ka shifër konkrete, zv/ministri i Bujqësisë, Ilir Halilaj, shpjegon se kjo situatë u krijua pasi për disa muaj ky fond nuk u shpërnda.

Ilir Halilaj: Ka aplikantë që nuk përmbushin disa kritere, ka tavane financimi, përmasa që mund të jenë më të ulëta sesa nevojat që kanë aplikantët. Pas marrëveshjes së 18 majit pati një drejtim teknik të AZHBR-së që rezultoi në mos procesimin e aplikimeve për pjesën e mbetur të asaj periudhe.

Por çfarë zgjidhje ka për këta blegtorë, zv/ministri i kërkon që të riaplikojnë gjatë 2018 pasi do të kenë më shumë lehtësi në procedura.

Ilir Halilaj: Këta aplikantë që mund të jenë diskurajuar për mospërfitim të fondeve sipas aplikimeve që kanë bërë, janë të inkurajuar të aplikojnë këtë vit me patjetër dhe është një kosto shumë e ulët për ta.

Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion një fond prej 20 milion eurosh për subvencionet në bujqësi, kryesisht në sektorët e agropërpunimit dhe sigurisë ushqimore. Aplikimet për këtë fond nisin në 28 shkurt.

Ilir Halilaj: Në vitin 2018 kemi fondin më të madh të akorduar për skemat e subvencioneve në bujqësi ndonjëherë, është rreth 2.6 miliardë lekë ose rreth 20 milionë euro.

Të gjithë të interesuarit duhet të paraqiten pranë Drejtorive të Bujqësisë në rrethe ku do të ketë persona të posaçëm që do ti ndihmojnë me aplikimin online.

Përtej fondit të qeverisë, bujqësia shqiptare do të mbështetet edhe nga fondet e BE që arrijne në 94 mln euro.


/Ora News.tv/