Evropa Veriperëndimore është goditur së fundmi nga Stuhia Eleanor e cila ka sjellë shira dhe erëra të forta që arrinin deri në 160 km për orë.  Mijëra shtëpi dhe biznese kanë mbetur  pa energji elektrike në Francë, Irlandë dhe Britani të Madhe, pasi u shënjestruan nga Eleanor më 2 dhe 3 Janar. Autoritetet e vendeve të cilat janë të shënjestruara  nga stuhia kanë dhënë alarmin portokalli dhe paralajmërimet përkatëse.

Stuhia Eleanor ka goditur të mërkurën e 3 janarit,  bregdetin e Gjirit Treaddur, Anglesey dhe Barry Island në Uells të Anglisë.

Dallgë të mëdha dhe erëra të forta goditën zonat bregdetare të Uellsit verior dhe jugor, pasi Eleanor udhëtoi në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, ndërprerje të udhëtimeve dhe përmbytje të mëdha.

Disa zona të Uellsit morën sinjalin e verdhë nga Zyra emergjente e Britanisë së Madhe. Ndërkohë një ditë më parë stuhia Elenaor goditi bregun perëndimor të Irlandës veriore duke shkatërruar banesa dhe biznese të tëra, ku 27 mijë prej tyre vazhdojnë të jenë ende pa energji elektrike, pasi stuhia solli shira dhe erëra të forta që arrinin deri deri në 155 kilometra në orë.

Gjithashtu Eleanor solli të mërkurën e 3 Janarit, erëra të forta dhe dallgë të fuqishme në detet e ishullit Jersey, duke shkaktuar bllokim të trafikut në disa prej rrugëve kryesore bregdetare të ishullit.

Stuhia shënjestroi mëngjesin e së mërkurës  edhe disa rajone të Francës duke sjellë erëra të forta lokale që arrinin shpejtësi deri në  120 kilometra në orë.

Autoritetet bëjnë të ditur se 47 rajone franceze janë vënë në alarm portokalli. Për shkak të kësaj stuhie, qarkullimi i automjeteve, i motorëve dhe kalimtarëve është ndaluar në zonat që janë kryesisht të rrezikuara siç janë Ura e Normandisë dhe rruga "Grand Canal".

Erërat e forta detyruan gjithashtu mbylljen e Kullës Eiffel në Paris, ndërsa Stuhia Eleanor goditi Francën veriore, duke lënë pas 200 mijë shtëpi pa energji elektrike.

/Ora News.tv/