Një stuhi e fortë me shpejtësi deri në 200 km/h goditi të mërkurën Zvicrën, duke krijuar kaos në vend. Stuhia e njohur si "Burglind" la të plagosur të paktën 16 persona, raportojnë mediat vendase.

Një vagon i trenit në lokalitetin Lenk, në regjionin Berner Oberland të Kantonit të Bernës ka dalë nga binarët dhe ka rënë përmbys nga fuqia e erës, Siç njofton ndërmarrja hekurudhore Montreux-Oberland-Bahn, nga aksidenti mbetën të plagosur 8 persona nga 22 pasagjerë që udhëtonin në tren.(FOTO)

Stuhia ka shkaktuar sot probleme të mëdha edhe në autostradën A1 nga Berna në drejtim të Oensingenit. Në këtë linjë është bllokuar në tërësi trafiku për shkak të rrëzimit të një kamioni.

Pamjet e publikuara përmes videove në rrjete sociale paraqesin skena dramatike.

Në kantonin e Bernës dhe në atë të Lucernit, stuhia ka rrëzuar trungje pemësh me çfarë janë shkaktuar edhe çrregullime në trafikun hekurudhor dhe atë rrugor.

Veç kësaj, në Kantonin e Bernës 14.000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike ndërsa në Liqenin e Thunit, në po këtë kanton, nuk ka lëvizje anijesh.


 

/Ora News.tv/