Me thirrje "E duam Shqipërinë si gjithë Europa!" , "Ulni tarifat!" dhe pankarta në duar mijëra studentë nga univeritetet e Tiranës dhe Kamza marshuan paraditen e së enjtes, 6 dhjetor, drejt ministrisë së Arsimit për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

Studentët u vendosën para ministrisë për më shumë se pesë orë (ora 10:00- 15:40)  dhe nuk pranuan të largoheshin pa parë më parë të zyrtarizuar me firmë, vendimin për anulimin e tarifave për provimet e mbartura.

Vendimi u firmos rreth orës 15: 30 dhe deri atëherë studentët nuk pranuan të bënin asnjë kompromis,  dhe as të binin pre e manovrave që Ministria e Arsimit u përpoq të bënte duke kërkuar një grup përfaqësie të hynte në institucion për të negociuar.

"O ministrja të heqë VKM o VKM do heqë ministren" kërcënuan studentë.

Kishte momente kur studentët hodhën vezë, letër higjienike drejt institucionit, ndërsa studentë të mjekësisë hoqën bluzat e bardha dhe i varën tek kangjellat ndërkohë brenda në institucion, Ministria e Arsimit, Lindita Nikolla vijonte negociatat me dekanë dhe rektorë të universitetit.

"Nëse nuk do të japin një përgjigje pozitive ne do të vijojmë të jemi këtu" shprehej një studente. 

"Kjo VKM është e turpshme.  Tarifa e kreditit është 8 mijë lekë, 9 kredite për 8 mijë lekë i bie 72 mijë lekë për tu futur në provim".

Zemërimi i studentëve nuk ndalonte, madje refuzuan fort dhe larguan individë që u përpoqën ta politizonin revoltën e tyre.

"E mira është të kemi përgjigje pozitive sepse do të na shohin ditë për ditë këtu në rrugë.  Ti mbajnë larg njerëzit, presionet ose mënyrat që ata përdorin rëndom për të na zmbrapsur. Jemi këtu në shesh që ti tregojmë Ministres që ose do të bjerë VKM, ose do të bjerë Ministrja. Po taksohemi për një shërbim që nuk ka kosto shtesë.


Ultimatumi

Ata vendosën një ultimatum qeverisë që të jepte një përgjigje deri në orën 16:00, në të kundërt protestat do të përshkallëzoheshin në demonstrata. Një prej tyre tha për mikrofonin e Ora News, të gazetares Nertila Dosti se do të jetë dhjetori i dytë.

Studenti: "Ne kemi lënë një afat, deri sot pasdite në orën 4 kërkojmë përgjigje. Nëse përgjigja nuk jepet, atëherë ta dija kryeministri dhe ministrja se ne nuk tërhiqemi. Nuk jemi rtërhequr për protestat tona për armët kimike dhe nuk do tërhiqemi. Madje paralajmërojmë se protesta mund të kalojë në demonstrata. Protesta do të përfundojë vetëm me realizimin e qëllimeve. Ky është dhjetori i dytë. Prindërit tonë patën vizionin për një Shqipëri Europiane, atë ëndërr vazhdojmë ta kemi dhe ne. 8 dhjetori i dytë po afron, Dhjetori i dytë do ta gjejë Shqipërinë me heqjen e këtyre tarifave burokrate" 

As dalja e ministres së Arsimit (ora 13:00) në një deklaratë për median se po zbrapsej, dhe do të anulonte vendimin nuk i bindi studentët të cilët në listën e kërkesave drejtuar ministrisë kishin renditur dhe uljen e tarifave për shkollimin, pjesëmarrjen në Bordin e Administrimit në Universitete dhe përmirësimin e kushteve në konvikte. 

" Pas vendimmarrjes së Universiteteve qeveria heq nenin 4 nga VKM, për tarifën për provimet e bartura të studentëve. Sa i takon kërkesës së dytë që studentët duan përfaqësim në Bordet e Administrimit, kjo gjë nuk ndodh në asnjë universitet në botë" u shpreh Nikolla pas takimit me rektorët dhe dekanët e Universitetit.

Studentë nga të gjithë universitetet e Tiranës, - Fakulteti i Drejtësisë, Mjekësisë, Shkencave Sociale, Histori Filologjisë, Gjuhët e Huaja dhe Shkencat e Natyrës dhe Universitetit Bujqësor - vijuan të qëndronin dhe të mos largoheshin  ndërsa thërrisnin "E duam Shqipërinë si gjithë Europa!"

Ndërkohë forca të shumta policore ishin vendosur jashtë rrethimit të Ministrisë së Arsimit.

Studentët vendosën të largoheshin rreth orës 15: 30 minuta me premtimin se do të ktheheshin nesër prapë për të kërkuar plotësimin e tre kërkesave të tjera.

Protesta u përhap dhe në universitetin e Durrësit, Korçës, Elbasanit dhe Shkodrës ndërkohë presidenti Ilir Meta i bëri thirrje autoriteteve të adresojnë shqetësimet 

Ora News përcolli protestën minutë pas minute. 



Shikoni të gjitha FOTOT duke klikuar këtu



Vijon protesta e studentëve: 





Studentët e Universitetit Bujqësor kanë marshuar nga Kamza në këmbë drejt Ministrisë së Arsimit për tiu bashkuar studentëve të tjerë.  


(Foto: LSA Protesta e studenteve)


(Foto: LSA Protesta e studenteve)



(Ne foto: Marshimi i studenteve drejt ministrise se Arsimit, 6 dhjetor 2018) 


Protesta mbahen edhe në Universitetet e Elbasanit, Korçës e Durrësit

 Boçi: I mbështes si pedagog, jo si politikan

Ndërkohë deputeti i PD, Luçiano Boçi thotë se në protestën e studentëve të Elbasanit është si pedagog dhe jo si përfaqësues politik. Në një lidhje për Ora Neës, Boçi thotë se në takimin e zhvilluar mes studentëve dhe përfaqësuesve të Universitetit nuk është arritur  asnjë marrëveshje.



Zv.rektori i Universitetit të Elbasanit: Pagesa për kreditet e mbartura do rishikohet

Ndërkohë studentët e Universitetit "Aleksandër Xhuvani" janë pritur nga zv/rektori Peci Naqellari, i cili premtoi se tarifa për lëndët ngelëse aktualisht është 400 lekë, por do të rishikohet sërish.  

Naqellari: Është e drejta juaj të protestoni. Është një vendim që jeni njohur nga media në lidhje me vendimin 288, pika 4. Edhe Ministria premtoi se do rishikohet. Ne si universitet e kemi lënë 400 lekë të vjetra duke e minimizuar, po përsëri do e rishikojmë.

Në lidhje me këtë bordi i administrimit ka vendosur tarifa të zbutura. Ne mirëkuptojmë kërkesën tuaj. Por tarifat nuk kanë ndryshuar. Kaq kanë qenë. Tarifa për pagesën e krediteve të mbartura bën fjalë për ciklin master dhe studentët me kohë të pjesshme.

Studentët e Korçës

Studentët e Universitetit Fan Noli kërkuan : "Të anulohet VKM e krediteve, të përmirësohen kushtet e konvikteve, të gjysmohet tarifa që do dyfishohet vitin që vjen, të shtyhet afati i pagesave të shkollës."

Studentët e Elbasanit: Trup për Ramën, na quajti ngelësa

Student: Ne nuk jemi as bijë politikanësh dhe as bijë biznesmenësh, pasi bijtë e politikanëve dhe biznesmenësh shkojnë në shkolla private ose jashtë shtetit. Ne vijmë nga shtresat e mesme ose të ulëta, ndaj merr një vendim për uljen e tarifave të shkollës.

Student: Kryeministri rrogën e vet e ka shumë të lartë, prindërit tanë ku punojnë, ku jetojnë? Le të bëhen prindërit tanë të bëhen ministra dhe atëherë ne i vazhdojmë studimet ashtu sic duhet. Ndërsa fëmijët e ministrave le të vijnë të mësojnë këtu në Shqipëri dhe jo të jetojnë jashtë shtetit si mbretër. Taksat e atyre po i paguajmë të gjitha ne.

Student: Jemi të zhgënjyer pasi rektori Skënder Topi, pedagoget dhe përfaqësuesi i studentëve nuk kanë denjuar të na presin për bashkëbisedim. Rama na quajti ngelsa! Turp për qeverinë që nëpërkëmb studentet. I themi Nikollës: "Mendoni mirë mënyrën e motivimit për studentet."

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla pasi diskutoi me drejtuesit e Universiteteve dha se VKM -ja për të cilët protestojnë studentët nuk ka hyrë ende në fuqi, ndërsa përgjegjësinë për tarifat ia kaloi Universiteteve.




(Foto nga protesta e studentëve në Elbasan)

 

/Ora News.tv/