Studentët e Universitetit të Arteve pajisen me kartën e studentit

Studentët e Universitetit të Arteve pajisen me kartën e studentit

Edhe studentët e Universitetit të Arteve do të pajisen me Kartën e Studentit. Në çdo fakultet të këtij universiteti, atë të Muzikës, Arteve të Bukura dhe Artit Skenik janë pozicionuar gjashtë operatorë, të cilët lehtësojnë procesin e emërtimit të kartës, duke nisur nga informacioni përgjithshëm, plotësimi i të dhënave, e deri te lëshimi i kartës.

Kryebashkiaku Tiranës, njëherësh edhe kandidat për një mandat të dytë për këtë bashki, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, si dhe rektori i universitetit, Kastriot Çaushi, ndoqën nga afër procesin e aplikimit dhe marrjes së kartës nga studentët e arteve, falë së cilës do të përfitojnë një numër të madh shërbimesh falas ose me kosto të reduktuar, në institucionet shtetërore dhe ato private.

“Jam shumë i lumtur që kemi një stacion tjetër te Universiteti i Arteve për Kartat e Studentit. Deri tani i kemi kaluar mbi 4 mijë karta të regjistruara, falë studentëve që janë duke punuar part-time për të ndihmuar studentë të tjerë të pajisen me kartë. Para se të shkëputemi për pushimet e verës do të ezaurojmë të gjithë dhënien e kartave dhe më pas, kush mbetet a vjen në vjeshtë, do të kemi zyra qendrore, për shembull te Sheshi “Nënë Tereza”, pak a shumë siç funksionojmë me kartat e identitetit apo pasaportat; të gjithë do të kenë mundësi të marrin kartat e tyre”, theksoi Veliaj.

Karta lëshohet pa pagesë dhe është e rinovueshme për një cikël studimi, ku në pjesën e pasme ka një barcode të caktuar, i cili mundëson akses në të gjitha institucionet apo subjekte, të cilat në ambientet e tyre kanë të afishuara stikerat me logon “Karta e Studentit”. Veliaj bëri të ditur se pasi të pajisen të gjithë studentët me karta, do bëhet edhe porositja e aboneve të udhëtimit me autobusët urbanë në Tiranë.

“Po presim sa të shpërndahen të gjitha kartat, ne pretendojmë të shkojmë deri në 80 mijë, e më pas do të shohim se ka disa shërbime që duhen moderuar. Duke qenë se tani studentet janë më të informuar për kartën, pasi të kemi të gjitha kartat e shpërndara dhe të shohim se sa është realisht kërkesa, atëherë do të parablejmë abonetë për Bashkinë e Tiranës nga Ministria e Financës, e cila është pronarja e letrave me vlerë”, shtoi më tej Veliaj.

EMISIONET